Kosova hap konkret, kandidon për të pritur Lojërat Mesdhetare 2030

schedule08:12 - 6 Prill, 2023

schedule 08:12 - 6 Prill, 2023

Kosova vijon të bëjë hapa galopantë, strategjikë dhe konkretë në sport.

Dardanët tashmë kanë paraqitur kandidaturën që Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 të mbahen në Prishtinë. Kjo është një e arritje e jashtëzakonshme për Kosovës, që është gati për të pritur organizimin e një prej evenimenteve më të rëndësishme sportive ndërkombëtare. Lojërat Mesdhetare siç dihet janë ngjarje shumësportëshe, ku marrin pjesë sportistë nga dhjetëra vende nga Evropa, Azia e Afrika. Ato mbahen çdo katër vjet, ndërsa organizohen nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG). Ky Komitet ka konfirmuar kandidaturën e Kosovës për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030.

“Komiteti Olimpik i Kosovës ka shfaqur interesim për të organizuar Lojërat Mesdhetare 2030 në Prishtinë, kryeqytetin e vendit. Komiteti Olimpik i Portugalisë ka shfaqur interesim për të organizuar Lojërat Mesdhetare në Plazh në vitin 2027, në qytetin Portimao. Dy Komitetet Olimpike duhet të dorëzojnë dosjen e kandidaturës deri në fund të qershorit, ndërsa Komisioni Vlerësues i ICMG-së do të ketë vizita inspektuese në të dy vendet”, shkruan në njoftimin e ICMG-së. Më 8 shtator, në Heraklion të Greqisë, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të ICMG-së, pritet që Kosova të zyrtarizohet si pritëse e edicionit të 21-të të Lojërave Mesdhetare.

ICMG-ja në njoftim e ka bërë thuajse të kryer mbajtjen e Lojërave Mesdhetare në Prishtinë: “Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare mirëpret me shumë kënaqësi interesimin e dy Komiteteve Olimpike, që janë anëtaret më të reja të familjes mesdhetare. Përkushtimi i tyre kontribuon në zhvillimin e mëtejmë të ngjarjes, por edhe përhapjen e vlerave dhe idealeve të lojërave në gjithë pellgun e Mesdheut”, shkruhet në tej në njoftim. Pjesë e ICMG-së janë vende si Shqipëria, Algjeria, Andorra, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Qipro, Egjipti, Franca, Greqia, Italia, Kosova, Libani, Libia, Malta, Monako, Mali i Zi, Maroku, Maqedonia e Veriut, Portugalia, San Marino, Serbia, Sllovenia, Spanja, Siria, Tunizia dhe Turqia.

Pra, plot 26 shtete. Një pjesë e këtyre vendeve nuk e njohin shtetin e Kosovës dhe mbetet të shihet nëse kjo do të paraqesë problem për të fituar të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare. Organizimi i kësaj ngjarjeje kërkon investim të madh, milionësh, ndërsa përfitimi më i madh pritet të jetë në përmirësimin e infrastrukturës sportive në Kosovë./ h.ll/abcnews.al