Musliu: Grupe serbe po stërviten në Rashkë, synojnë destabilizimin e veriut

schedule11:50 - 5 Prill, 2023

schedule 11:50 - 5 Prill, 2023

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti raportoi sot me dyer të mbyllura në Komisionin parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së.

Pas raportimit, kryetarja e komisionit, Ganimete Musliu deklaroi se gjendja e sigurisë në Kosovë është stabile, me përjashtim të katër komunave veriore.

Ajo tha se në bazë të raportimit të drejtorit të AKI-së, ka tendenca për destabilizim të sigurisë në veri, sidomos tash në prag të zgjedhjeve lokale atje.

Musliu nënvizoi se dy grupe serbe të së ashtuquajturës mbrojtja civile po stërviten në Rashkë të Serbisë për krijimin e trazirave në veri.

“Gjendja e sigurisë në Kosovë në përgjithësi konstatohet të jetë stabile, në përjashtim të katër komunave veriore të vendit, ku shihet tendenca për destabilizim. E ashtuquajtura organizata e mbrojtjes civile atje në bashkëpunim edhe me Listën Serbe, vazhdimisht kanë aktivitet në veri të vendit. Pjesëtarë të kësaj organizata, tashmë dy grupe janë duke kryer kurset e trajnimit në Rashkë për veprime destabilizuese në Kosovë”, tha kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Musliu theksoi se institucionet e Kosovës duhet të jenë të përgatitura për çdo provokim në veri, pasi asgjë nuk mund të jetë e papritur.

Ditëve të fundit, disa vetura të serbëve të Kosovës në veri janë djegur për shkak të konvertimit të targave ilegale në RKS. Si pasojë e kësaj, Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar serb në veri për djegien e këtyre veturave./KosovaPress