Partia Socialiste përsëriti thirrjen ndaj sistemit të drejtësisë që të hetojë deputeten Monika Kryemadhi dhe lidhjet e saj me oligarkët rusë. Deputetja Klotilda Ferhati, në një deklaratë për mediat, u shpreh se drejtësia duhet të hetojë Kryemadhin dhe prokuroria të mos humbasë kohë.
“Ky është një rast shqetësues, i cili ekspozon edhe njëherë tjetër skemën që ka përdorur Rusia për të minuar demokracitë evropiane, financimin e partive politike. Por në vend që të japë shpjegime mbi këtë situatë, deputetja Kryemadhi ka zgjedhur që të sulmojë mediat.
Drejtësia shqiptare nuk duhet të humbë kohë për të hetuar këtë rast që cenon sigurinë kombëtare të një vendi si i yni i rreshtuar ndër të parët në krah të Ukrainës dhe kundër brutalitetit të Rusisë. Ndërkohë që zonja Kryemadhi refuzon sqarimet, organet e drejtësisë do të duhet të hetojnë për të gjitha veprimet që nga mosdeklarimi dhe deri tek dyshimet e adresuara nga mediat për pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.”, tha Ferhati./abcnews.al