Shqipëria rezulton vendi më pro-evropian në Ballkan. Sipas sondazhit të fundit të kryer nga Eurobarometri, pjesa dërrmuese e qytetarëve besojnë më shumë BE-në se qeverinë vendase. Ndërkohë, vendi me më pak mbështetje për Europën rezulton Serbia.
Shqipëria është vendi me përqindjen më të lartë të qytetarëve që i besojnë më shumë Bashkimit Europian sesa qeverisë vendase, përkatësisht me 69 dhe 30 për qind. Kështu thotë një sondazh i Eurobarometrit, i kryer në qershor të 2019-s dhe i publikuar këtë muaj. Pas Shqipërisë renditet Maqedonia e Veriut me 57 dhe 33 për qind, e ndjekur nga Mali i Zi, ku mbështetja pro-BE-së llogaritet 47 përballë 43 për qind.
Ndërkohë, Serbia rezulton i vetmi vend ku mbështetja është më e madhe për qeverinë vendase sesa për Unionin Europian, me kuotat 41 dhe 33 për qind. Shqipëria është gjithashtu në krye të listës së vendeve që e perceptojnë pozitivisht imazhin e BE-së, konkretisht me 81 për qind që kanë një mendim të mirë ose shumë të mirë dhe vetëm 3 për qind që mendojnë të kundërtën. Ndërsa në Serbi, përqindja e atyre që kanë një mendim pozitiv për Unionin është më pak se gjysma e atyre në Shqipëri, 37 për qind.
Sidoqoftë, shifra në fjalë është më e lartë se ajo e qytetarëve serbë që kanë një mendim negativ për Europën, që llogaritet në 27 për qind. Ndërkohë, mbi 60 për qind e qytetarëve në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi vlerësojnë se ekonomia e vendit të tyre është e varfër, me përqindjen më të lartë të verifikuar në Serbi, 67 për qind. Problemet më të rëndësishme për qytetarët e këtyre vendeve janë situata ekonomike dhe papunësia./ABC News Albania 24/7