Gratë ukrainase që luftojnë në vijën e frontit

schedule15:25 - 30 Mars, 2023

schedule 15:25 - 30 Mars, 2023

Që nga pushtimi i Rusisë në shkurt të vitit 2022, dhjetëra mijëra gra janë bashkuar vullnetarisht në Forcat e Armatosura të Ukrainës. Nga fundi i vitit të kaluar, ministria ukrainase e mbrojtjes thotë se pothuajse 60,000 gra shërbenin në ushtri. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Myroslava Gongadze u takua me dy ish-gazetare që kanë një vit që po luftojnë për Ukrainën.

U takuam për herë të parë me Marharyta Rivchachenko në shtator pranë qytetit të Iziumit. Ajo shoqëroi një ekip televiziv të Zërit të Amerikës që kërkonte krime të dyshuara lufte nga forcat ruse. Me pamje të brishtë, por të guximshme, ajo na tregoi rrugën drejt një varri masiv të sapo zbuluar.

Tani një oficere shtypi për komandën e ushtrisë, ajo u thirr në kryeqytet. Ne u takuam përsëri në zyrën e “Ukrainska Pravda”, një gazetë në internet ku ajo kishte punuar para luftës.

Kur rusët hynë në Kiev në shkurt 2022, babai i saj u regjistrua në ushtri, po ashtu edhe i dashuri i saj. Marharyta vendosi të bëjë të njëjtën gjë, duke u regjistruar me forcat e mbrojtjes territoriale.

“Mendova se nëse do të kisha një armë, do të bëja diçka më shumë për jetën time… Nuk doja të largohesha nga Ukraina. Doja të bëja diçka më shumë për vendin tim.”

Ajo thotë se gjëja më e vështirë në luftë, është kur dëgjon për vdekjen e miqve të tu.

“Nuk kam frikë të kthehem në rajonin e Donetskut të luftoj, sepse ndihem shumë mirë me ushtarët e mi. Por është pak e vështirë të mendoj për njerëzit e mi, miqtë e mi, babanë tim. Tani është në Bakhmut, i dashuri im. Nuk është e vështirë të shërbesh, është vështirë të presësh për dikë nga fronti”, thotë Marharyta Rivchechenko për Zërin e Amerikës.

Ish-gazetarja televizive Anastasia Blyshchyk u regjistrua gjithashtu me Forcat e Armatosura të Ukrainës. Me origjinë nga Khersoni, ajo thotë se kishte tre vjet që donte të shkonte në ushtri, por hezitonte. Kjo ndryshoi kur rusët nisën një ofensivë në shkallë të gjerë. Duke ecur përgjatë sheshit Mykhailivska në Kiev, pranë mjeteve të blinduara ruse që janë ekspozuar të rrënuara, ajo kujton momentin vendimtar.

“Më 24 shkurt i dërgova mesazh të fejuarin tim – gazetar dhe ushtar i Brigadës 95 Sulmuese Ajrore – Oleksandr Makhov. Më 25 shkurt më telefonoi dhe më pyeti si isha. I thashë se do të regjistrohesha në ushtri dhe ai e mbështeti vendimin tim”.

Më pas ndodhi tragjedia. Në maj, i fejuari i saj u vra në betejat për Iziumin.

“Dukej se njerëzit si ai ishin të pavdekshëm. Mendova se mund t’i ndodhte kujtdo, por jo atij. Dhe kur mora telefonatën … nuk doja që askush të dëgjonte atë që dëgjova. Ishte e vështirë”, thotë Anastasia Blyshchyk.

Gati një vit më vonë larg frontit, pavarësisht fitoreve të mëdha, pikëllimi i saj është ende i pranishëm.

“Aty e kam më të lehtë… Pashë me sytë e mi çlirimin e Iziumit, çlirimin e fshatit Dovhenke, ku vdiq Sasha… Iziumi dhe Dovhenke janë tonat, por kjo nuk më bën të ndihem më mirë”.

Anastasia e cila mezi pret të kthehet në front, shpjegon se çfarë do të thotë fitorja për të.

“Fitorja do të vijë jo vetëm kur të kthejmë të gjitha territoret tona, por kur të pastrojmë vendin nga të gjithë tradhtarët, kur të gjithë ukrainasit të kuptojnë se gjuha jonë është arma më e fuqishme dhe kur të ketë respekt për të gjithë ata … që janë tani në vijën e frontit”./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!