Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha në Kuvend tha se sektori i ujësjellësit është përmirësuar ndjeshëm. Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës për rritje të çmimit të ujit, Balluku tha se kemi të bëjmë me ulje të humbjeve teknike në rrjet.
“Nuk ka pasur rritje të çmimit të ujit por ulje të rëndësishme të humbjeve teknike të rrjetit pasi po zëvendësohen rrjetet e shpërndarjes në të gjithë vendin. Uljet teknike janë dukshëm më të ulëta. Po rrisim eficencën dhe nivelin e të ardhurave të mbledhura, gjë që vjen edhe për shkak të reformës së thellë, të nisur gjatë vitit 2022 me agregimin e kompanive. Sot kompanitë e agreguara po performojnë në mënyrë më të mirë, si për sa i përket kushteve sanitare, ashtu dhe investimeve, mbledhjes së të ardhurave apo dhe humbjeve teknike”, tha Balluku.
Sipas ministres ecuria pozitive në këtë sektor është e vërtetueshme me shifra dhe se çdo qytetar e ndjen përmirësimin e këtij shërbimi.
“Ecuria pozitive në sektorin e ujësjellësit e shprehur me shifra është e vërtetueshme dhe jo një çështje politike. Nuk mund të jetë narrativë e vazhdueshme politike pas është shërbim bazik që ofrohet në pjesën më të madhe të vendit në kushte më të mira dhe do të vazhdojë në ndërmarrje të tjera me eficencën e burimeve njerëzore. Ka pasur një numër të shtuar punonjësish për frymë.
Eficenca energjetike që është padyshim ajo që rrit koston e produktit dhe e treta humbjet teknike në rrjet. Janë procese që po i aplikojmë dhe nuk është narrativë për t’u bërë nga momenti që çdo qytetar e ndjen përmirësimin e këtij shërbimi që është jetik për të gjithë ne.“, u shpreh Balluku.
Zëvendës ministrja tha gjithashtu se po punohet për dy parqe fotovoltaike në Belsh dhe Memaliaj. Mes të tjerash ajo shtoi se Tiranës pritet t’i shtohet edhe burimi i Gurit të Bardhë, për të cilin është marrë edhe një kredi për investim nga Bashkia e Tiranës në Bankën Evropiane. /abcnews.al