Të paktën 13 persona kanë vdekur dhe mbi 1 milion janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre në Kinë, teksa tajfuni “Lekima” po godet vendin. 16 persona rezultojnë gjithashtu të humbur pas një rrëshqitjeje toke, e shkaktuar nga shirat e dendura, bëjnë të ditur mediat shtetërore. “Lekima” zbarkoi në orët e para të së shtunës në Uenling, mes Taivanit dhe qytetit kinez të Shangait.
Stuhia ishte klasifikuar fillimisht si një super tajfun, por u dobësua përpara se të prekte tokën, ku megjithatë erërat fryjnë me 187 kilometra në orë. Rrëshqitja e tokës u verifikua kur një digë u kris në provincën Uenzhou, në afërsi të vendit ku zbarkoi dhe stuhia.
Aktualisht “Lekima” po udhëton me ngadalë drejt provincës Zhejiang dhe pritet të godasë Shangain, që ka një popullsi prej 20 milionë banorësh. Ekipet e emergjencës ndërkohë u kanë ardhur në ndihmë udhëtarëve të shumtë që kishin mbetur rrugëve, të bllokuar nga përmbytjet dhe pemët e rrëzuara. Ndërkohë, shumë zona të vendit kanë mbetur pa energji elektrike./ABC News Albania 24/7