Zëdhënësi i FSHF-së, Fatjon Kodra thotë se skuadra shqiptare është gati për t’u përballur me Poloninë në Varshavë.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga stadiumi në kryeqytetin polak, Kodra u shpreh se 23 futbollistët ndodhen në formë të mirë fizike dhe seanca e fundit stërvitore ka shkuar mjaft mirë.
“Ky stadium sot do të jetë plotësisht i mbushur, janë shitur pothuajse të gjitha biletat. Ka një kapacitet prej 58 mijë vendesh, thuajse do të jetë plot. Ndërkohë që mund të ketë 500-600 tifozë shqiptarë, nga informacionet që kemi, do të jenë të pozicionuar pas portës, në tribunën lart. Përgatitjet kanë shkuar mirë, gjithçka është në rregull për momentin, nuk ka asnjë lojtar me probleme fizike. 23 lojtarët e grumbulluar janë stërvitur normalisht në stadium, në seancën e fundit. Edhe ata që kishin probleme fizike, si Strakosha, Abrashi apo Uzuni, janë të gatshëm për të luajtur sot. Skuadra është e plotë dhe gati për të luajtur këtë ndeshje të rëndësishme”, theksoi ai./abcnews.al