Gjykimi ndaj ish krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, do të nisë me 3 Prill të këtij viti. Ish presidenti Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020 pasi akuzohen për krime lufte.
Artan Behrami, ish këshilltar i presidentit Thaçi, në një intervistë për “Ballkan Update” me gazetaren Linda Karadaku, tha se do të protestojë në ditën që do të bëhet gjykimi teksa shtoi: “Dyshimet janë rritur ndaj kësaj gjykate. Do të kemi edhe një protestë masive për të adresuar këtë padrejtësi.”
“Hija e dyshimit të kësaj gjykate, pikënisjen e ka në krijimin e saj. Që nga viti 2010, Kosovës i është thënë që duhet të largojmë “mjegullën” e krijuar nga Dick Marty e raportin monstruoz për gjasme trafikim organesh. Ishte një bazë shumë e madhe për shtetin e ri të Kosovës. Ishte vullnet i institucioneve të Kosovës për të krijuar një gjykatë e cila hesht njëherë e përgjithmonë dyshimet që janë ndërtuar në mënyrë artificiale përmes Rusisë, Serbisë dhe Dick Martin. Kjo ka qenë mashtrimi më i madh në historinë e Kosovës.
Në njërën anë ne kemi qenë të mashtruar se gjykata do të gjykojë trafikimin e organeve dhe në anën tjetër kanë thënë se do të trajtojnë edhe vrasjet e pasluftës. Me mëto dy mjete, kanë mobilizuar edhe deputetët e PDK dhe LDK që kishin shumicën në atë kohë për të votuar një ligj që është skandaloz. Kur është krijuar gjykata speciale, me ligjet e Republikës së Kosovës, ajo ka vazhduar procedurat e shkëputjes nga Kosova dhe e pavarësimit të saj. Sot kjo gjykatë nuk ka asgjë të Kosovës, nuk respekton ligjet e Kosovës. Nëse lexoni akt akuzën kundër krerëve të UÇK-së, nuk flitet për trafikim organesh apo vrasje të pasluftës.“, tha ai./abcnews.al