“Bomberi” shqiptar i “vjedh” numrin e fanellës “bavarezit” Thomas Muller

schedule17:00 - 23 Mars, 2023

schedule 17:00 - 23 Mars, 2023

Ftesa e teknikut Hansi Flick kundrejt Mërgim Berishës shkaktoi jo pak zhurmë në mediat gjermane, marrë në konsideratë edhe lënien jashtë të emrave të “mëdhenj” si Thomas Muller e Leroy Sane.

Vetë 24-vjeçari me origjinë shqiptare do të prononcohej si iu plotësua ëndrra e një jetë. Së fundmi raportimet nga Federata Gjermane e Futbollit e bënë akoma më interesante, me indicie kryesore dhënien e numrit 13 në fanellë.

Numri në fjalë korrespondon me fanellën e Thomas Muller, me 33-vjeçarin që e ka mbartur në Botërorin e 2014 dhe atë të 2022-shit.

Nga krahu tjetër, Flick vendosi që ta linte “bomberin” bavarez jashtë 2 sfidave të marsit, në miqësoret ndaj Perusë dhe Belgjikës, e për pasojë mund të ketë ndikuar edhe në dhënien e numrit 13 një tjetër lojtari, në këtë rast Berishës.

E paqartë është nëse ky skenar merr konotacionin e një kërcënimi për vendin e titullarit apo është zgjedhje rastësore. Mërgimi ka shansin e artë të realizojë debutimin në testet e mësipërme. /i.m /abcnews.al