Nënat me obezitet mund t’ua kalojnë atë vajzave të tyre, sipas ekspertëve

schedule22:40 - 21 Mars, 2023

schedule 22:40 - 21 Mars, 2023

Shkencëtarët kanë kryer një studim ku janë fokusuar tek femrat që përballen me probleme të obezitetit dhe se mund ta “transmetojnë” atë tek vajzat e tyre, sipas ekspertëve. Por kjo nuk mund të “transmetohet” tek djemtë e tyre.

Sipas një studimi të ri të botuar në “Journal of Clinical Endocrinology & Metabolism” të Shoqatës Globale të Endokrinologjisë, vajzat e lindura nga nëna me obezitet ose një përqindje të lartë të yndyrës trupore mund të jenë në rrezik më të madh për të fituar të njëjtën yndyrë të lartë trupore.

Studiuesit, matën yndyrën e trupit dhe masën muskulore në 240 fëmijë, nëntë vjeç ose më të vegjël, dhe prindërit e tyre në fëmijërinë e hershme. Ata përdorën këto të dhëna për të përcaktuar nëse indeksi i masës trupore të fëmijës dhe sasia e yndyrës dhe muskujve të trupit ishin të lidhura me prindërit e tyre. Ata zbuluan se vajzat kishin një indeks të masës trupore dhe yndyrë trupore të ngjashme si nënat e tyre, por nuk gjetën të njëjtën marrëdhënie të djemve me nënat e tyre ose të djemve dhe vajzave me baballarët e tyre.

Megjithatë, siç shpjegon Rebecca Moon, një nga autoret e studimit, nga Qendra e Epidemiologjisë së Këshillit të Kërkimeve Mjekësore (MRC) Lifecourse në Universitetin e Southampton, “Duhen studime të mëtejshme për të kuptuar pse ndodh kjo, por gjetjet tona tregojnë se trajtimi i peshës trupore duhet të fillojë shumë herët në jetë, veçanërisht te vajzat e lindura nga nëna obeze dhe mbipeshë.”

Obeziteti prek pothuajse gjysmën e të rriturve dhe 20% të fëmijëve në Shtetet e Bashkuara, dhe kostoja e kujdesit mjekësor vlerësohet në 173 miliardë dollarë. Njerëzit me obezitet janë në rrezik më të madh të zhvillimit të diabetit, presionit të lartë të gjakut, problemeve të zemrës dhe shumë kushteve të tjera. /abcnews.al