Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) ndodhet 400 kilometra mbi sipërfaqen e Tokës dhe udhëton me një shpejtësi mesatare prej 27,750 km/h, duke kryer 15.7 orbita në ditë, duke u dhënë astronautëve mundësinë për të fotografuar planetin nga një perspektivë unike.
Megjithatë, shpejtësia e madhe e ISS do të thotë që qytetet dhe topografia e Tokës “vrapojnë” me një ritëm marramendës, ndaj çdo foto e detajeve në sipërfaqe kërkon cilësime të veçanta. Por e njëjta lëvizje bën të mundur realizimin e fotove të cilat NASA i poston në llogarinë e saj zyrtare në Instagram. Imazhi i fundit është një përbërje e fotografive të shumta të marra nga astronauti i NASA-s, Don Pettit në vitin 2012 për një periudhë 25-minutëshe, me shkrepje të njëpasnjëshme çdo tridhjetë sekonda.
Pamjet me ekspozim të gjatë kanë kapur rrufe zinxhir që përshkruhen si ndezje diskrete. “Këtu mund të shihni një stuhie elektrike, dritat e qyteteve dhe gjurmët e yjeve që udhëtojnë pranë Tokës”, shpjegon NASA.
“Shtigjet” e yjeve formojnë vija të drejta në drejtim të orbitës së Stacionit, por harqe rrethore në të majtë dhe të djathtë të orbitës së ISS. Skaji i atmosferës duket i verdhë për shkak të diellit që lind së shpejti. Mbi këtë zonë, drita e kuqërremtë mund të shihet nga ndërveprimi i rrezatimit diellor me atomet e oksigjenit në atmosferë.
Gjatë qëndrimit në ISS, Don Pettit bëri foto të panumërta, duke i postuar ato në llogarinë e tij personale në Instagram.
View this post on Instagram
/abcnews.al