Kthesa e Trump: Dënim me vdekje për krimet e urrejtjes

schedule18:37 - 5 Gusht, 2019

schedule 18:37 - 5 Gusht, 2019

Me një fjalim të ri, ndryshe nga të mëparshmit kur villte vrerë ndaj emigrantëve, presidenti Donald Trump ka dënuar ideologjinë e supremacisë së bardhë dhe ka propozuar dënim me vdekje për autorët e vrasjeve në masë. Reagimi i tij lidhej me ngjarjet në Teksas dhe Ohajo, që lanë 29 të vdekur.

Presidenti Donald Trump ka dënuar racizmin, urrejtjen dhe supremacinë e bardhë, në një fjalim të mbajtur të hënën në lidhje me dy incidentet e armatosura që lanë 29 të vdekur.

Gjatë fjalimit, Trump bëri thirrje për reforma që parashikojnë kontrollin e shëndetit mendor për kë dëshiron të pajiset me armë, dënim me vdekje për kë kryen krime në masë dhe më shumë bashkëpunim ndërpartiak në lidhje me ligjet për armët.

“Shëndeti mendor dhe urrejtja e tërheqin këmbëzën e një armë, jo arma vetë”, tha Trump nga Shtëpia e Bardhë.

Ai nuk shprehu mbështetje për masat për kontrollin e armëve të propozuara në Kongres.

Me një zë të vetëm, kombi ynë duhet të dënijë racizmin, fanatizmin dhe supremacinë e bardhë. Këto ideologji dashakeqe duhen mposhtur. Urrejtja nuk ka vend në Shtetet e Bashkuara”, tha Trump.

Komentet e tij erdhën pak përpara se autor i sulmit në El Paso të Teksasit të akuzohej zyrtarisht me vrasje në masë. Presidenti e vuri theksin tek një numër politikash, përfshirë këtu bashkëpunimin mes agjencive ligjzbatuese dhe kompanive të rrjeteve sociale, tek ligjet për shëndetin mendor dhe tek nevoja për ndryshimin e kulturës që lartëson dhunën.

Ai u shpreh gjithashtu në favor të paketës së ligjeve të njohur si “flamuri i kuq”, që u lejon forcave të rendit t’ua konfiskojnë armët individëve që dyshohet se përbëjnë kërcënim.

“Agjencitë qeveritare duhet të punojnë së bashku dhe të identifikojnë individët që mund të kryejnë akte të dhunshme. Ato duhet të parandalojnë aksesin e tyre tek armët”, vijoi Trump./ABC News Albania 24/7