Flukset emigratore, Ballkani drejt boshatisjes

schedule14:50 - 5 Gusht, 2019

schedule 14:50 - 5 Gusht, 2019

Flukset emigratore të viteve të fundit nga vendet e Ballkanit drejt Perëndimit po e boshatisin rajonin. Risi e fenomenit është largimi i të rinjve të shkolluar, që kërkojnë punë në vendet e zhvilluara. Ndërkohë, ndryshimi i situatës mbetet në duart e politikës.

Vendet perëndimore, vazhdojnë të jenë magnet për qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Kështu, sipas burimeve statistikore të autoriteteve në Rumani, mbi dy million qytetarë të këtij vendi ndodhen jashtë, kryesisht në Spanjë dhe Itali. Eksodi është i ngjashëm edhe në Bullgari ku mbi një milion bullgarë janë vendosur në ndonjë vend anëtar të Bashkimit Evropian.

Nga Krocia, këtë e kanë bërë rreth 250 mijë kroatë. Përjashtim nuk bëjnë as Greqia, nga e cila pas krizës financiare të para nëntë vjetëve u shpërngulën jo më pak se 400 mijë veta, por as Hungaria e cila aktualisht llogaritet si vendi me dinamikë më të lartë të shpërnguljes – në grupin e vendeve të cilat aderuan jo larg moti në familjen evropiane. Të dhënat janë edhe më dëshpëruese në vendet jo anëtare të Bashkimit Evropian.

Nga Kosova, për shembull, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, vetëm për periudhën 2013-2017 kanë emigruar mbi 170 mijë qytetarë. Sipas disa analizave në Shkup, Maqedoninë e Veriut gjatë dhjetë viteve të fundit e kanë braktisur deri në 600 mijë qytetarë, kurse Shqipërinë – 700 mijë.

Nga Serbia, sipas një studimi të OSBE-së, nga fillimi i këtij shekulli janë larguar 654 mijë qytetarë. Sipas një studimi të Institutit gjerman për Hulumtimin e Tregut të Punës dhe të Profesioneve, të publikuar tash shpejt, e ku janë anketuar mbi 10 mijë persona të moshës 14-29 vjeçe të dhjetë shteteve të Evropës Juglindore, për shumicën e tyre, mbi 48 për qind, arsye për braktisjen e vendit është përmirësimi i standardit të jetesës. Gjetjet e analizës janë se të rinjtë janë më sensitiv kur është fjala për korrupsionin, padrejtësitë sociale, varfërinë, papunësinë.

Dhe, si destinacion më i dëshiruar i tyre është Gjermania e pasuar nga Zvicra. Problemi bëhet më i mprehtë po të kihet parasysh se thuajse nga të gjitha vendet e Ballkanit Perendimor largohen kryesisht të rinjtë dhe më të shkolluarit. Një kambanë alarmi kjo për klasat politike, në pushtet, por edhe opozitë, se është koha që edhe qytetarët të shijojnë të mirat e shekullit të ri e jo vetëm të mbajnë mend ndërrimin e pushteteve.

Pushtetet, në të njëjtën kohë, kur është fjala për problemin e shpërnguljeve të popullsisë, duhet të nxjerrin mësime nga përvoja e hidhur e Bullgarisë, Rumanisë, po edhe e Kroacisë, të cilat, edhe pse vende anëtare të Bashkimit Evropian, po përballen me problemin e krijimit të kushteve në mënyrë që qytetarët më vital për punë – t’i mbajnë në shtëpi. Kjo për shkak se integrimi i plotë evropian ka për t’u shoqëruar edhe me liberalizimin plotësues të ligjeve të migrimit dhe kjo përkohësisht ka për të qenë sfidë serioze për anëtarët e rinj të familjes evropiane./ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!