Në Gjirin e Omanit, Kina, Rusia dhe Irani po kryejnë së bashku stërvitje ushtarake detare. Kjo nuk është hera e parë. Por përballë luftës së Rusisë në Ukrainë, shumë vende perëndimore janë të shqetësuara.
Kina, Rusia dhe Irani zhvillojnë manovra të përbashkëta detare. Ministria e Mbrojtjes në Pekin tha se stërvitjet ushtarake do të mbahen në Gjirin e Omanit nga sot deri të dielën. Agjencia iraniane e lajmeve Tasnim raportoi se stërvitja kishte të bënte me “mbrojtjen e tregtisë ndërkombëtare detare” dhe kundër piraterisë dhe terrorizmit.
Synimi është thellimi i bashkëpunimit ndërmjet njësive detare të tri vendeve, tha Ministria kineze e Mbrojtjes. Kina, Rusia dhe Irani kanë kryer edhe më parë bashkërisht manovra ushtarake. Por pjesërisht për shkak të luftës së agresionit të Rusisë në Ukrainë, bashkëpunimi ushtarak midis tre shteteve autokratike shihet në mënyrë kritike nga shumë vende të qeverisura në mënyrë demokratike.
Vitin e kaluar, skenë e manovrave ishte pjesa veriore e Oqeanit Indian. Gjiri i Omanit lidhet me Gjirin Persik nëpërmjet ngushticës së Hormuzit, një nga ngushticat më të rëndësishme për transportin e mallrave si nafta dhe gazi. Në afërsi të zonës detare në të cilën tani do të zhvillohet stërvitja e tri shteteve, në të kaluarën e afërt ka pasur incidente të përsëritura të sigurisë. Për shembull, në cisterna nafte në Gjirin Persik u vendosën mina. Irani gjithashtu ka ndaluar vazhdimisht cisterna të huaja.
Partneritet strategjik
Udhëheqja e shtetit dhe partisë kineze ruan një partneritet strategjik me Rusinë dhe deri tani nuk e ka dënuar luftën në Ukrainë. Sipas raporteve të mediave, udhëheqësi kinez Xi Jinping mund të udhëtojë në Moskë javën e ardhshme për të takuar presidentin rus Vladimir Putin.
Tregtia midis Rusisë dhe Kinës është rritur ndjeshëm që nga fillimi i luftës. Ka raporte të rregullta se Kina po furnizon Rusinë me të ashtuquajturat mallra me përdorim të dyfishtë, pra teknologji që mund të përdoret si për qëllime civile ashtu edhe për qëllime ushtarake.
Por deri tani, Kina nuk ka dorëzuar ende pajisje ushtarake, sigurisht edhe nga frika e sanksioneve ndërkombëtare. Kohët e fundit, qeveria amerikane ka shfaqur shqetësimin se Kina mund të jetë duke furnizuar me armë Rusinë, gjë të cilën udhëheqja e shtetit dhe partisë e mohon./VOA