Lideri i Partisë Demos, njëherësh i mandatuari për formimin e qeverisë së re në Mal të Zi, Miodrag Lekiç u ka dërguar një letër ditën e djeshme liderëve të shumicës parlamentare.
Lekiç kërkon informacion nëse ka mbështetje të mjaftueshme për formimin e qeverisë së drejtuar nga Dritan Abazoviç, shkruan Vijesti.
Ai ka deklaruar se edhe pse ende ka statusin e të mandatuarit, nuk do të ketë pengesa për formimin e qeverisë me kryeministër Dritan Abazoviç.
“Takimi i djeshëm është ndërprerë me qëllim që kolegu AbazoviÖ të shikojë mundësitë e gjetjes së emrave të deputetëve që do ta mbështesin qeverinë me të në krye në parlament në një numër të mjaftueshëm, pra 41. Nuk e kemi ende atë informacion, të paktën unë nuk e di. Mandati skadon të dielën e ardhshme, me pasoja të gjata të karakterit juridik dhe politik.
Në këtë kontekst, jam i detyruar që publikisht të ndërmarr hapa të caktuar, përfundimtarë. Për sa më sipër, kërkoj një përgjigje për situatën e fundit në lidhje me mazhorancën e mundshme të gjetur që do ta mbështeste kolegun Abazoviç për formimin e qeverisë. E përsëris se për disa arsye nuk jam pengesë për këtë”, thuhej ndër të tjera në letër./abcnews.al