Presidenti i Koresë së Jugut Yoon Suk Yeol dhe gruaja e tij do të vizitojnë Japoninë nga 16-17 mars me ftesë të Tokios, vizita e parë e tillë në 12 vite pasi Seuli njoftoi një plan për t’i dhënë fund një mosmarrëveshje të zgjatur për punën e detyruar gjatë kohës së luftës.
Koreja e Jugut tha të hënën se kompanitë e saj do të kompensonin viktimat e punës së detyruar nën sundimin kolonial të Japonisë nga 1910-1945, duke kërkuar t’i jepte fund një mosmarrëveshjeje që ka dëmtuar përpjekjet e udhëhequra nga SHBA për të paraqitur një front të unifikuar kundër Kinës dhe Koresë së Veriut.
Yoon do të mbajë një takim të nivelit të lartë me kryeministrin japonez Fumio Kishida, tha zyra e Yoon në një deklaratë, duke e quajtur atë “një moment historik të rëndësishëm në përmirësimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve midis Koresë së Jugut dhe Japonisë”.
Koreja e Jugut është një fqinj i rëndësishëm me të cilin Japonia duhet të bashkëpunojë për adresimin e çështjeve të ndryshme në komunitetin ndërkombëtar, tha në një konferencë shefi i kabinetit të Japonisë, Hirokazu Matsuno.
Marrëdhëniet mes dy vendeve shënuan pikën më të ulët në dekada pasi Gjykata e Lartë e Koresë së Jugut në vitin 2018 urdhëroi firmat japoneze të paguajnë dëmshpërblime për ish-punëtorët.
Pesëmbëdhjetë koreano-jugorë kanë fituar raste të tilla, por asnjë nuk është kompensuar.
/abcnews.al