Shefi i OKB-së nesër në Kiev, pritet të takohet me Zelensky-n

schedule15:28 - 7 Mars, 2023

schedule 15:28 - 7 Mars, 2023

Shefi i OKB-së Antonio Guterres do të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky të mërkurën në Kiev, udhëtimi i tij i tretë në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus, sipas një njoftimi të zëdhënësit të tij.

Guterres mbërriti sot në Poloni, nga ku do të vazhdojë udhëtimin e tij në kryeqytetin ukrainas, për t’u takuar nesër me Zelenskyn për të diskutuar veçanërisht për zgjatjen e marrëveshjes për eksportin e grurit ukrainas, tha Stephan Dujarric në një deklaratë për shtyp.

Marrëveshja për eksportin e drithërave nga Deti i Zi, e ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Turqia korrikun e kaluar, lejoi eksportimin e grurit nga tre porte të Ukrainës.

Rreth 20 milionë tonë drithë u eksportuan falë marrëveshjes. Për të bindur Rusinë që të lejojë Ukrainën të rifillojë eksportet e grurit në Detin e Zi korrikun e kaluar, u nënshkrua gjithashtu një marrëveshje trevjeçare në të cilën Kombet e Bashkuara ranë dakord të ndihmonin në lehtësimin e eksporteve ruse të ushqimit dhe plehrave.

Ukraina dhe Rusia janë të dyja ndër furnizuesit më të mëdhenj në botë të grurit dhe plehrave.

Guterres do të udhëtojë në Kiev së bashku  me shefin humanitar të OKB-së Martin Griffiths dhe zyrtaren e lartë të tregtisë së OKB-së Rebecca Greenspa  Griffiths udhëhoqi negociatat e marrëveshjes së grurit ndërsa Greenspan po punon për të lehtësuar eksportet ruse të ushqimit dhe plehrave.

Guterres do të largohet nga Kievi të mërkurën dhe do të kthehet në Nju Jork të enjten pasdite.

Nuk janë dhënë detaje të mëtejshme për këtë vizitë, e treta  pas dy udhëtimeve në prill dhe gusht në vendin e shkatërruar nga lufta që nga pushtimi i saj nga Rusia më 24 shkurt 2022.

/abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!