Rusia akuza Perëndimit, Lavrov: Mashtruan serbët e Kosovës për formimin e Asociacionit

schedule15:18 - 3 Mars, 2023

schedule 15:18 - 3 Mars, 2023

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë tha sot se qasja e Perëndimit ndaj problemit të serbëve në Kosovë është identike me atë se si Perëndimi  trajtoi zbatimin e Marrëveshjeve të Minskut.

Ai tha se Perëndimi se nuk ka mbajtur premtimet e dhëna ndaj Beogradit dhe Moskës.

Konkretisht, foli për marrëveshjen e Minskut dhe atë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, duke i konsideruar thuajse të ngjashme, ndërsa sqaroi se kishin të bënin me dhënien e një statusi të veçantë për rusët në lindje të Ukrainës dhe për serbët në Kosovë në formën e një autonomie të lehtë.

“E njëjta gjë ka ndodhur me Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë, siç ka ndodhur me ne: Serbia u mashtrua kur ishte puna për themelimin e Asociacionit, dhe Rusia u mashtrua edhe kur ishte fjala për dhënien e statusit special për rusët në Ukrainë.

Në të dyja rastet këtë e ka bërë Bashkimi Europian, pra Gjermania dhe Franca që e kanë përfaqësuar atë, si dhe përfaqësuesit e lartë, siç e kanë pranuar edhe vetë, nuk kanë planifikuar të zbatojnë marrëveshjet e Minskut, pra asnjëherë nuk kanë planifikuar të zbatojnë atë që u kanë premtuar serbëve në Kosovë”, tha Lavrov.

Lavrov më tej akuzoi dhe NATO-n se ka shkelur të gjitha angazhimet e saj të ndërmarra në vitin 1999, lidhur me zgjerimin e saj në lindje, por edhe përsëriti dënimin për bombardimin e kryer ndaj Serbisë për të ndaluar makabritetet ndaj popullatës shqiptare në Kosovë.

“Tani Scholz, Baerbock, Macron dhe të tjerët thonë se kjo është hera e parë që është shkelur statuti i OSBE-së. Ata nuk e mbajnë mend vitin 1999 kur u bombardua Serbia?”, tha Lavrov.

Krahu i djathtë i Vladimir Putinit nuk la pa përmendur konfliktin e armatosur në Ukrainë, duke pretenduar se Rusia po përpiqet t’i japë fund një lufte të nisur nga perëndimi duke përdorur ukrainasit.

“Nuk do t’i zëmë besë asnjë partneri perëndimor”, përfundoi Lavrov duke iu referuar bashkëpunimit në disa fusha, përfshirë atë energjetik.

/abcnews.al