Asfaltohet rruga e re në Farkë, Veliaj: U shërben 2000 familjeve të zonës

schedule16:55 - 26 Shkurt, 2023

schedule 16:55 - 26 Shkurt, 2023

Një tjetër lagje në kryeqytet doli në dritë falë ndërhyrjes së Bashkisë së Tiranës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi gjatë mbrëmjes, punimet në rrugën që lidh Unazën e Madhe me tregun e ri Agroushqimor të Farkës. Kjo nyje u shërben më shumë se 2000 familjeve, jo vetëm të zonës Lundrës me Unazën e Madhe, por edhe duke i lidhur ata me Farkën e Madhe.

“Kemi dy lajme të mira që i shërbejnë komunitetit këtu, të cilët do të përfitojnë edhe nga hapja e rrugës, pranë tregut të madh Agroushqimor. Është një akses, të cilin ata e kanë kërkuar prej kohësh. Emergjenca lindi edhe prej faktit se po përgatitemi të hapim tregun e madh agro-ushqimor, që është lajmi i dytë i mirë. Ky është një tjetër premtim i mbajtur i yni. Më vjen mirë që kanë filluar prenotimet e para. Madje, 90% e hapësirës së tregut është rezervuar që në fazën e parë”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë shtoi se Unaza e Madhe ka sjellë ndryshim rrënjësor në pjesën lindore të saj, teksa ftoi qytetarët që preken nga ndërtimi i pjesës tjetër, të bashkëpunojnë me bashkinë sepse vetëm kështu rritet vlera e zonave ku ata banojnë.

“Shumica e banorëve që preken nga 7 lotet e mbetura të Unazës, kanë firmosur kontratat dhe jemi duke bërë noterizimin e tyre. Ata pranojnë që do të marrin nga bashkia shpërblimin në banesa, por investimi nuk do të ndalet. Unaza përfundon në Shkozë – aty kemi 7 lotet, një pjesë janë në territorin e Tiranës, pjesa tjetër janë në territorin e Paskuqanit, në Bashkinë e Kamzës. Dua t’i falenderoj ata banorë, janë shumica, por kanë ngelur edhe pak. Ftesa për të tjerët është: zhvillimi nuk ndalet, puna nuk ndalet, investimi nuk ndalet”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku tha se punët nuk lihen përgjysmë. Ai i ftoi banorët të mos i dëgjojnë partitë politike, që hallin e tyre e kanë te vula dhe foltoret.

“Kemi bërë gjysmën e një pune të mirë të Unazës, tani jemi gati të ecim me lotet e tjera. Ju lutem familjeve të fundit, nxitoni, mos dëgjoni partitë politike. Ata kanë hallin e vulave dhe foltoreve të tyre, nuk kanë hallet e miletit. Edhe kur shkojnë te ‘5 Maji’ për të shkaktuar pengesa, për të hapur probleme, për të bllokuar projekte, e bëjnë se kanë hallet e tyre. Për hallet e njerëzve ka qytet, ka bashki, ka shtet, ka qeveri. Ndaj, sa më shumë bashkëpunim. Kush bashkëpunoi në fillim me ne te lagjja “5 Maji”, sot po futet në shtëpitë e reja. Kush ka bashkëpunuar për të gjitha këto investime, ia ka parë hajrin se çfarë do të thotë të punosh. Ne shqiptarët kur i lëmë menjanë zënkat, cicmicet, partiçkat dhe fokusohemi te puna, bëjmë punë të mrekullueshme”, përfundoi Veliaj.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!