Një tifoz i Newcastle ka mbetur i dëshpëruar pasi qeni i tij bëri biletat e finales së Kupës Carabao thërrime.
Tifozi i quajtur Alan Carling, po kalonte një ditë të keqe pasi ekipi i tij pësoi humbjen e parë në ligë që nga gushti. Por gjërat do të përkeqësoheshin edhe më shumë kur ai u kthye në shtëpi dhe zbuloi se çfarë kishte bërë qeni i tij në kohën në të cilën nuk ishte në banesë.
Qeni i tij i quajtur Rudy, ka një ves të keq pasi gjithmonë kur vjen posta, ai mendon se janë për të luajtur dhe gjithmonë i copëton nëse nuk është dikush nga të zotët e tij në shtëpi. Kështu ndodhi edhe këtë herë.
“Pasi u ktheva nga ndeshja ku humbëm në shtëpi ndaj Liverpoolit, duke parë ekipin tim të pësonte dy gola dhe portierin të dilte me të kuq në pjesën e parë, shkoj në shtëpi dhe shikoj biletat e finales të bëra copash nga qeni im. Rudy mendoi se do të më kthente humorin duke bërë këtë gjë, por jo! Shitet qeni për 5 paund ( me shaka)”, përfundon tifozi i revoltuar./ h.ll/abcnews.al