Fotovoltaikët, biznesi i diellit në pritje të etapës së re

schedule18:36 - 19 Shkurt, 2023

schedule 18:36 - 19 Shkurt, 2023

Vijimi i politikës së liberalizimit, që nxori një vit më parë në tregun e parregulluar të energjisë 7600 biznese, i gjeti shumicën e tyre në panik.

Ndoshta sepse hapi i hedhur nga qeveria, vinte në momentin më të keq të mundshëm, kur çmimet e energjisë në bursa po shënonin rritje të shpejtë.

Industri të ndryshme, të grupuara, lobuan pranë qeverisë, duke kërkuar zgjidhje dhe kjo e fundit pranoi që t’i mbante me një çmim pjesërisht të liberalizuar në nivelet e 18.8-19.69 lekëve/kwh, në varësi të nivelit të tensionit.

Ky çmim ishte 70% më i lartë se ai që këto biznese kishin në tregun e rregulluar dhe sa gjysma e çmimit të një kilovat/orë në tregun e lirë. Mbështetja vazhdon edhe sot, madje në mbrojtje është marrë edhe biznesi i lidhur në 35 kilovolt, por për të gjithë është e qartë, procesi i liberalizimit është i pashmangshëm. Ndihma sipas premtimit, do të zgjasë deri në momentin kur në fuqi është gjendja e emergjencës në furnizim me energji.

Duke e ditur fare mirë këtë, biznesi ka nxituar t’i dalë para dhe të sigurojë pjesërisht pavarësinë e tij energjetike, nëpërmjet impianteve fotovoltaike. Operatorët e tregut konfirmojnë se është pikërisht grupi i vetëprodhuesve ai që ka shprehur interesin më të madh në gjithë kategoritë, për instalimin e impianteve.

Sigurisht, çmimet e larta të energjisë kanë nxitur edhe “lulëzimin” e impianteve private për prodhim dhe më pas tregtim të energjisë, por numri i këtyre projekteve mbetet ende i kufizuar, pasi procedurat burokratike kanë afat më të gjatë.

“Grupi më i interesuar dhe me numrin më të lartë për instalimin e impianteve për vetëprodhim është ky grup biznesesh në tension të mesëm, për shkak se fillimisht u përballën me rritje çmimi, që edhe pse i kontrolluar, sërish mbetet i lartë.

Duke u ndier në presion për mënyrën sesi do të trajtohen në vijim, por edhe duke parë që në treg të lirë, çmimet janë dyfish me të larta, u vunë në lëvizje për të instaluar impiante fotovoltaikë.

Trendi ishte në rritje, edhe vjet, edhe këtë vit. Bizneset në tension të mesëm janë në numër të madh, mbi 7600, ndaj edhe kërkesa mbetet e lartë”, pohon Anduel Çekrezi, përfaqësues i kompanisë “Euroelektra”.

Projektligji do të nxisë më shumë investime, faturimi vjetor neto dhe të rejat e tjera

Nga viti 2017, kur u miratua për herë të parë ligji “Për burimet e rinovueshme të energjisë”, instalimi i kapaciteteve në energjinë diellore nuk eci aq shpejt sa u mendua.

Numri i bizneseve që eksperimentuan me kapacitet të kufizuar për vetëprodhim, por edhe prodhues të limituar brenda fashës 2MW, ishte i kufizuar, duke e bërë të pandjeshme kontributin e energjisë diellore në totalin e asaj që prodhon dhe konsumon vendi.

Një sërë aspektesh të ligjit ishin kufizuese, sipas bizneseve, dhe këto lidheshin me matjen neto mujore, ku bizneset nuk mund të shfrytëzojnë tepricat kur kanë nevojë dhe as nuk mund të marrin një përfitim ekonomik për to, pasi një çmim i posaçëm nuk u miratua asnjëherë.

Në fillime, edhe zvarritjet me procedura për instalimin e impianteve ishin të shumta, diçka që u lehtësua pas disa takimeve të grupeve të interesit me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjinë.

Sot, pas një periudhe të gjatë konsultimesh dhe kërkesash kryesisht nga instilatorët, ka një draft-ligj të ri për burimet e rinovueshme që në thelb, sipas operatorëve, sjell ndryshime thelbësore.

Më e rëndësishmja, të paktën për vetëprodhuesit që janë një kategori jo e vogël, është kalimi me një faturim vjetor neto, nga matje neto mujore. Kjo do të thotë se bizneset do të mund të shfrytëzojnë në mënyrë më eficiente impiantet e tyre, duke bërë mbulim më të madh, deri në 100% të nevojave të tyre.

“Pranimi nga qeveria për faturim vjetor neto i hap rrugë dhe i jep garanci për zhvillim sektorit. Kjo do të thotë që të gjithë individët dhe bizneset, të cilat kanë instaluar sisteme fotovoltaike, do të kenë mundësi të mbulojnë 100% të nevojës për energji elektrike. Si do të ndodhë kjo? Aktualisht me ligjin ekzistues, energjia e tepërt e hedhur në rrjet nga vetëprodhuesit njihet vetëm muajin aktual.

Me ligjin e ri, netimi do të bëhet vjetor, energjia e tepërt e prodhuar në muajt e verës dhe pranverës do të mbulojë konsumin e ditëve me më pak diell në dimër”, – pohon Skënder Hoxhaj, administrator “Vega Solar”.

Sipas tij, avantazhet e një skeme të tillë për tregun janë rritja e mëtejshme e interesit për fotovoltaikët, përballueshmëria më e mirë e çmimeve të energjisë që në treg mbeten ende të larta, zvogëlimi i peshës së qeverisë për të mbrojtur konsumatorët.

Në parim, sipas operatorëve, projektligji bën ndryshime pozitive, por mbetet për t’u parë se kur do të gjejë zbatim. Ligji aktual, edhe pse parashikonte një sërë nismash, nuk gjeti kurrë zbatim, duke mbetur peng i akteve nënligjore të pamiratuara apo të paplotësuara me elementet e nevojshme për t’u bërë të zbatueshëm.

“Ligji i ri ka marrë parasysh disa nga kërkesat tona, si grup biznesi, dhe ka sjellë edhe disa të reja. E para ka të bëjë me përfshirjen e konceptit të vetëprodhuesve kolektivë, si një nga kërkesat tona dhe të konsumatorëve.

Kjo do të thotë se ata që jetojnë në një ndërtesë kolektive mund të instalojnë një impiant me kuota pjesëmarrjeje dhe në bazë të kësaj, të ndajnë edhe energjinë. Një tjetër qasje pozitive është edhe ajo për Komitetin e Energjive të Rinovueshme.

Këto të fundit janë një grup biznesesh, individësh apo institucione publike, për shembull bashkitë, dhe krijojnë një impiant në këtë rast po them fotovoltaik dhe kanë statusin e vetëprodhuesit, por edhe mundësinë që të shesin apo shkëmbejnë energjinë që prodhojnë. Një tjetër pikë që mendoj se është me vlerë për tregun është ajo për Operatorin e Energjive të Rinovueshme.

Ky operator parashikohet edhe në ligjin ekzistues të 2017-s, por nuk ka gjetur zbatim. Mendoj se me këtë ligj të ri do të gjejë zbatim, pasi është një hallkë shumë e rëndësishme, që monitoron dhe mban raportet për prodhuesit e energjisë nga burimet e rinovueshme.

Struktura merr të dhëna, analizon zhvillimet dhe harton politika dhe nisma që nxisin tregun. Edhe për këtë pjesë, sërish mbetet për t’u parë sesi do të funksionojë dhe zhvillohet në aktet nënligjore”, thekson z. Çekrezi.

Sfidat e vitit 2023? Rregullimi i ngërçeve ne zinxhirët e furnizimit dhe kapitali njerëzor

Bizneset që operojnë në sektorin e fotovoltaikëve për tregtimin e produkteve dhe zbatimin e projekteve e shohin vitin 2023 të ndarë në dy anë. Në njërën qëndron kërkesa e lartë, që është pozitive për ta, kurse në tjetrën, vijimi i ngërçeve te zinxhirët e furnizimit dhe presioni që po ushtron emigracioni mbi kapitalin njerëzor në vend.

Operatorët nënvizojnë se furnizimi me panele dhe invertera, që u bë problematik vitin e kaluar, për shkak të efektit zinxhir të post-pandemisë dhe kërkesës së lartë për këto produkte në kushtet e krizës, është zgjidhur pjesërisht.

Ka një lehtësim të furnizimit me panele, duke siguruar sasinë e nevojshme pa problem, ndërkohë që për pjesë të tjera, si inverterat, kompanitë do të duhet të punojnë me planifikim dhe porosi në avancë për 3-6 muaj.

“Furnizimi i komponentëve kryesorë siç janë panelet është normalizuar. Një nga elementet e tjera të sistemit janë inverterat dhe këtu ka pak hapësirë nga koha e furnizimit te dorëzimi dhe duhen 3-6 muaj për porositje.

Gjithsesi, nga ajo që po shohim, situata po përmirësohet dhe mendoj se gjysma e dytë e vitit do jetë më e normalizuar në këtë drejtim”, nënvizon z. Çekrezi. Lidhur me krahun e punës, ai thotë se kompania, në këtë situatë, ka parë të arsyeshme rritjen e pagave.

Të njëjtën praktikë kanë ndjekur, në përgjithësi, bizneset, si një përgjigje për të frenuar largimet në një sektor që po përjeton lulëzim në kërkesën për instalime të reja.

“Gjetja e forcës së punës është një nga sfidat më reale dhe koherente. Profili i impianteve fotovoltaike është specifik dhe kërkon njerëz të specializuar në këtë fushë, çfarë e bën dhe më

të vështirë gjetjen e punonjësve të përshtatshëm për këtë industri. Kushtet e punës, pagesat tërheqëse, politikat e brendshme të kompanisë kanë qenë një amortizator për ta bërë sa më të lehtë punësimin e njerëzve të përshtatshëm”, shprehet z. Hoxhaj./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!