I ftuar në Abc Live, gazetari i sportit, Nertan Prifti ka komentuar sfidat e Champions League të cilat u luajtën dje në mbrëmje, por edhe për dy sfidat e tjera që luhen sot, ajo mes Dortmund-Chelsea dhe Brugge-Benfica.
“Për të kaluar në fazën tjetër, të favorizuara janë ekipet që morën rezultate pozitive, pra Milani dhe Bayern të cilat fituan mbrëmjen e djeshme.
Milani kthehet i madh në Champions, ku është klubi i dytë me më shumë trofe në Champions League. Milani ka qenë titull kryesor në të gjitha mediat e huaja për fitoren e arritur ndaj Tottenham me rezultatin minimal 1-0. Sot të gjitha gazetat e mediave të huaja flasin për një Milan të madh të cilët mposhtën në San Siro Tottenhamin. Ky është një moment zhgënjimi për anglezët pasi vijnë nga një humbje e thellë ndaj Leicester dhe Conte kërkonte një fitore në Champions League për të ngritur moralin.
Dje, Milani ka arkëtuar rreth 9.4 milionë euro vetëm nga shitjet e biletave. Një rekord që asnjë ndeshje e luajtur në Itali, asnjë klub nuk ka arkëtuar kaq shumë para.”
Gjithashtu, Nertan Prifti ka treguar edhe favoritin për ndeshjen e sotme mes Dortmundit dhe Chelseat
“Dortmund është një nga skuadrat më të mira të Gjermanisë dhe është një skuadër e fortë. Vëmendja në fakt është te Chelsea për faktin se ka kryer shumë transferime dhe ka shpenzuar një shumë prej rreth 350 milionë euro në merkaton e janarit. Sipas parashikimeve, në fakt favorit për këtë sfidë është Dortmundi pasi është marrë parasysh forma aktuale e të dyja klubeve, por edhe fusha ku luhet ndikon shumë, sepse edhe tifozeria ka një impakt.
E gjithë vëmendja është te Chelsea, te blerjet e reja që klubi anglez bëri. Chelsea ka lojtarë shumë të mirë në krahasim direkt me ata të Dortmund, por gjermanët kanë frymën e grupit shumë të mirë.
Në ndeshjen tjetër mes Club Brugge dhe Benfica, portugezët janë favoritë duke parë që ka edhe më shumë eksperiencë, por Brugge është surpriza e këtij edicioni kështu që nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë.”
Prifti ka komentuar edhe se cilat ekipe mendohen si favorite në këtë kompeticion
“Champions League është një turne i paparashikueshëm, por sigurisht që ekipet e mëdha mbeten gjithmonë favorite. Kemi Manchester Cityn që ka një skuadër shumë të mirë, Bayern Munich dhe Real Madrid sigurisht që është kampioni në fuqi.
Në fakt, dje u luajt një finale e parakohshme, ajo mes PSG-së dhe Bayern Munich, por gjithashtu do të jetë edhe ajo mes Liverpoolit dhe Real Madrid”, ka përfunduar ai./ h.ll/abcnews.al