Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas tërmetit të fuqishëm, i cili e goditi sot Turqinë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo ka shprehur ngushëllimet më të thella për të gjitha jetët e humbura dhe i ka uruar shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve.
LEXO EDHE: “Kosova është e gatshme të ndihmojë”, Albin Kurti shpreh ngushëllimet për popullin turk dhe sirian
Sakaq, Osmani ka bërë të ditur se Republika e Kosovës është gati të ofrojë mbështetjen e nevojshme.
“Bashkëndjej me të gjitha komunitetet e prekura nga tërmeti shkatërrues në Turqi. Ngushëllimet më të thella për të gjitha jetët e humbura dhe i uroj shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve. Solidaritet i plotë me popullin e Turqisë. Republika e Kosovës është gati të ofrojë mbështetjen e nevojshme edhe nëpërmjet FSK-së”, ka shkruar Presidentja.
Kujtojmë që tërmeti i fuqishëm ka goditur një zonë të gjerë në Turqinë juglindore, pranë kufirit me Sirinë, duke vrarë më shumë se 500 njerëz dhe duke bllokuar shumë të tjerë.
Lëkundjet fatale zgjatën rreth një minutë dhe u ndjenë deri në Qipro, Egjipt dhe Liban. Shërbimi Gjeologjik i SHBA tha se tërmeti me magnitudë 7.8 goditi në orën 04:17 me orën lokale në një thellësi prej 17.9 km (11 milje) pranë qytetit të Gaziantep./abcnews.al