MEDISON, Uiskonsin – Një regjistrim i ri audiofonik ofron një pamje të brendshme të faktit se zyrtarët e ekipit elektoral të ish-Presidentit Donald Trump, në një shtet të rëndësishëm për betejën elektorale, e dinin se ishin mundur nga demokratët në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Por edhe kur e pranonin humbjen, ata anonin nga aludimet për manipulim të gjerë që u hodhën poshtë në mënyrë të përsëritur nga zyrtarët zgjedhorë dhe gjykatat.
Regjistrimi zanor i datës 5 nëntor 2020, dy ditë pas zgjedhjeve, po bëhet publik ndërkohë që ish-Presidenti Trump kërkon sërish kandidimin për president, ndërsa vazhdon të gënjejë për legjitimitetin e rezultateve dhe për fitoren e demokratit Joe Biden.
Gjatë një takimi për strategjinë, zyrtarët politikë në Uiskonsin madje lavdëruan përpjekjet e demokratëve për pjesëmarrje në zgjedhje në qarqet më të mëdha të këtij shteti dhe duket se bënë shaka me përpjekjet e tyre për të angazhuar votuesit afrikano-amerikanë, sipas regjistrimit të siguruar të enjten nga agjencia e lajmeve Associated Press. Regjistrimi përqëndrohet tek Andrew Iverson, i cili ishte drejtues për fushatën Trump në këtë shtet.
“Ja si do të veprohet: sektori i komunikimeve do të vazhdojë të mbajë ndezur flakën dhe të shpërndajë lajmin se demokratët po përpiqen të vjedhin zgjedhjet. Ne do të ndihmojmë me çfarë kanë nevojë. Vetëm qëndroni gati në pritje, në rast se do na duhet të bëjmë ndonjë manovër”, tha zoti Iverson.
Zoti Iverson është tashmë drejtor rajonal në Komitetin Kombëtar Republikan. Ai sugjeroi që pyetjet për këtë takim t’i dërgoheshin komitetit, zëdhënësi i të cilit, Keith Schipper, refuzoi të komentojë pasi nuk e kishte dëgjuar regjistrimin.
Kopja e regjistrimit iu dha agjencisë Associated Press nga një ish-zyrtar i ekipit elektoral dhe ish-zyrtar republikan, që ishte i pranishëm në atë takim.
Në përgjigje të pyetjeve për regjistrimin zanor, zëdhënësi i fushatës Trump tha: “Fushata elektorale 2024 është e përqëndruar tek konkurimi në secilin shtet dhe tek fitorja në një mënyrë dominuese. Kjo është arsyeja përse Presidenti Trump udhëheq me diferencë të madhe në anketim pas anketimi”.
Uiskonsini ishte një pjesë e rëndësishme e fitores së zotit Trump në vitin 2016, kur arriti të thyejë të ashtuquajturin “murin blu” të demokratëve në atë rajon, dhe fushata e tij elektorale u përpoq shumë ta ruante këtë shtet në favor edhe katër vite më vonë kur ai humbi përballë zotit Biden.
Demokrati Biden e mundi zotin Trump me gati 21 mijë vota në Uiskonsin në vitin 2020, një rezultat ky që u ka qëndruar auditeve dhe shqyrtimeve të pavarura dhe atyre partiake, si dhe padive dhe rinumërimeve në dy qarqet më të mëdha që anojnë nga demokratët.
E megjithatë, dy ditë pas zgjedhjeve, gjatë takimit të zyrtarëve republikanë as nuk përmendet që zoti Trump të ketë fituar në këtë shtet.
Madje, pjesë të takimit përqëndrohen tek diskutimet për të përgatitur mbylljen e zyrave të fushatës, dhe për hartimin e raporteve përfundimtare për mënyrën se si u zhvillua fushata. Në një pikë të caktuar, në regjistrim dëgjohet zoti Iverson të lavdërojë përpjekjet e Partisë Republikane, duke pranuar diferencën e humbjes së zotit Trump në këtë shtet.
“Në fund të ditës, ky operacion mori më shumë vota se çdo republikan tjetër në historinë e Uiskonsinit”, thotë zoti Iverson. “Thoni ç’të doni, por operacioni i nxori republikanët për të votuar. Thjesht demokratët patën 20 mijë më shumë se ne, nga qarku Dane dhe të tjerëve në Milwaukee, Green Bay dhe Dane. Ka shumë gjëra që njerëzit mund të mësojnë nga kjo fushatë”.
Takimi nxjerr në pah një tjetër kontrast mes atyre çfarë dinin zyrtarët republikanë për rezultatin e zgjedhjeve dhe çfarë ish-Presidenti Trump dhe aleatët e tij më të ngushtë thonin publikisht kur nxisnin gënjeshtrën për vjedhjen e zgjedhjeve. Ish-Presidentit Trump iu tha nga vetë prokurori i tij i përgjithshëm se nuk kishte shenja manipulimi të gjerë, dhe shumë persona nga brenda administratës së tij i thanë ish-presidentit se janë të pabaza pretendimet për vjedhje apo manipulim – këshilla të cilat ish-Presidenti Trump i injoroi.
Në javët pas zgjedhjeve, ish-Presidenti Trump dhe aleatët e tij do të paraqisnin dhjetëra padi, do të mblidhnin elektorë të rremë dhe do t’u bënin presion zyrtarëve zgjedhorë në një përpjekje për të përmbysur vullnetin e votuesve dhe për ta mbajtur zotin Trump në pushtet.
Nuk është e qartë nëse zyrtarët në Uiskonsin e kishin koordinuar mesazhin e tyre drejtpërdrejt me zyrtarët e fushatës në Uashington.
Pjesë të takimit të 5 nëntorit gjithashtu përqëndrohen tek përpjekjet republikane për t’u angazhuar me komunitetin afrikano-amerikan.
Në një moment, zyrtarët qeshin kur përmendet nevoja për “më shumë zëra afrikano-amerikanësh për Trump-in”. Zoti Iverson gjithashtu i përmend përpjekjet e tyre për të angazhuar afrikano-amerikanët.
“A flasim ne ndonjëherë me afrikano-amerikanët? Mendoj se jo”, thotë ai, duke shkaktuar të qeshura tek të tjerët në sallë.
Një tjetër person që flet gjatë regjistrimit me zoti Iverson u identifikua nga burimet si zyrtari republikan Clayton Henson. Në atë kohë, zoti Henson ishte drejtor rajonal për Partinë Republikane që mbulonte Uiskonsinin dhe shtete të tjera. Në takim bëhet një lloj autopsie e zgjedhjeve, duke lavdëruar pjesëmarrjen e republikanëve dhe përpjekjet e zyrtarëve të fushatës, ndërkohë që pranohet se demokratët patën një fushatë të vrullshme për të nxitur pjesëmarrjen në votime.
Zoti Henson përmend në veçanti pjesëmarrjen e demokratëve në Qarkun Dane, ku përfshihet kryeqyteti i shtetit Uiskonsin, Madison, dhe që është një zonë ku dominojnë liberalët. Një numër rekord prej 80% të votuesve morën pjesë në këtë qark në vitin 2020, ku zoti Biden fitoi me 76% të votave.
“U heq kapelen për atë çfarë bënë në Qarkun Dane. Duhet ta respektojmë këtë gjë”, tha zoti Henson. “Do të ketë prapë zgjedhje për nja dy vjet. Kështu që mbani mend mësimet që nxorëm dhe përgatituni t’ua ktheni goditjen”.
Zoti Henson u kontaktua të enjten nëpërmjet telefonit dhe tha “jo, faleminderit” kur iu kërkua të komentojë rreth atij takimi./VOA