Kremlini e ka quajtur Boris Johnson një gënjeshtar dhe ka mohuar pretendimet e bëra nga ish-kryeministri britanik se Vladimir Putin e ka kërcënuar atë se do ta vriste me një raketë. Johnson tha se këtë deklaratë lideri rus e kishte bërë në një telefonatë para se të pushtonte Ukrainën.
Në një dokumentar të BBC-së që është planifikuar të transmetohet më 30 janar, Johnson tha për telefonatën me Putin: “Ai më kërcënoi në një moment dhe më tha: “Boris, nuk dua të të lëndoj, por me një raketë, do të duhej vetëm një minutë” ose diçka e tillë.”, u shpreh Johnson.
Kësaj deklarate i është përgjigjur zëdhënësi Dmitry Peskov: “Nuk ka pasur kërcënime me raketa. Ose ishte një gënjeshtër e qëllimshme, dhe ju duhet të pyesni zotin Johnson pse zgjodhi ta shprehte kështu ose ishte një gënjeshtër e pavetëdijshme dhe ai nuk e kuptonte vërtet atë që po i thoshte Putini.”
Peskov tha se presidenti Putin i kishte thënë Johnson-it nëse Ukraina do të bashkohej me NATO-n, kjo do të thoshte se raketat e SHBA-së ose NATO-s të vendosura pranë kufijve të Rusisë do të mund të arrinin në Moskë brenda pak minutash dhe sugjeroi se mund të ketë pasur një keqkuptim. /abcnews.al