E konfirmon Ambasada Amerikane në Kosovë: Më 31 janar diskutim për Asociacionin

schedule19:30 - 24 Janar, 2023

schedule 19:30 - 24 Janar, 2023

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë konfirmoi diskutimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe që pirtet të mbahet më datë 31 janar.

Në një përgjigje për KosovaPress, Ambasada tregoi qëllimin e këtij diskutimi ndërsa nuk bëri të ditur nëse ka një ftesë për kryeministrin e Kosovës, njëherit kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pavarësisht se u tha që ka ftuar liderë politikë.

“Më 31 janar, Ambasada e Amerikës do të organizojë një diskutim për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Kemi ftuar drejtues të shoqërisë civile, zyrtarë qeveritarë, liderë politikë dhe diplomatë për të diskutuar këtë temë të rëndësishme”, u tha në përgjigjen e Ambasadës amerikane për KosovaPress.

KosovaPress ka mësuar nga burime brenda Qeverisë së Kosovës, që deri më sot (24 janar) kryeministri Kurti nuk ka pranuar një ftesë për diskutimin e 31 janarit.

Ndërkohë, mësohet se kryetari i LDK-së, Lumri Abdixhiku, ka pranuar një ftesë të tillë. Por, edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, konfirmoi ftesën dhe pjesëmarrjen.

Ditë më parë, i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, duke folur për refuzimin e Kurtit për të themeluar Asociacionin, tha se “një person dhe një palë nuk mund të shmangë një detyrim ligjor ndërkombëtar”.

Ambasada amerikane i tha KosovaPress-it se diskutimi i 31 janarit është në përputhje me angazhimet e tyre dhe në mbështetje të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Qëllimi ynë është të avancojmë mirëkuptimin e ndërsjellë për angazhimin rreth Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, në mbështetje të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ne po e organizojmë këtë diskutim në përputhje me qëllimin tonë të qëndrueshëm për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike dhe si reflektim i miqësisë sonë të gjatë dhe mbështetjes për popullin e Kosovës”, përfundoi përgjigjja e Ambasadës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!