Dorina Kurtaj – Pas përfundimit të qeverisë Tsipras tashmë Greqia ka një kryeministër të ri. Micotaqis ka premtuar rritje pagash dhe ulje taksash ndër të tjera, por analistët ekonomikë mendojnë se është e pamundur për shkak të situatës ekonomike në vend. Një tjetër çështje që pret rishqyrtimin nga ekzekutivi i ri është dhe ajo e Maqedonisë së Veriut.
Ka përfunduar stina e Aleksis Tsipras. Në Greqi rikthehet në qeveri partia konservatore Demokracia e Re, e drejtuar nga Qiriakos Micotaqis. Partia pas suksesit në zgjedhjet Parlamentare Europiane, duke lënë prapa Syrizën me dhjetë pikë – 33 kundrejt 23 për qind, u imponua në shkallë të gjerë dhe në zgjedhjet politike në vend përballë ish-kryeminsitrit Aleks Tsipras. Micotaqis, i cili drejtoi protestat në shesh kundër aplikimit të masave të programit të fundit të asistencës financiare, që përfundoi në muajin gusht, fitoi me 39.8 për qind në krahasim me kundërshtarin kryesor i cili ndaloi në 31.56 për qind. Greqia ringre kokën me krenari pas një periudhe të dhimbshme do të deklaronte Micotaqis i cili premtoi se do të punojë për uljen e taksave dhe për të sjellë zhvillim ekonomik dhe punësim në vend. Një premtim që ishte dhe pika e fortë e fushatës së tij elektorale. Demokracia e Re tashmë qeveris e pavarur, pasi mori mazhorancën e pastër në parlament.
Mes të parëve që uruan për fitoren kryeministrin e ri, ishte presidenti turk Erdogan si dhe ish presidenti i Komisionit Europian Zhan Klod Junker. Tsipras, një ishiantagonist i bërë më pas një nxënës model i Trojkës, i detyruar të menaxhojë krizën më të keqe ekonomike në vend që nga pas lufta, me reformat e detyruara, pagoi pasojat e njëpasnjëshme ekonomike që shumë i interpretuan si një tradhti. Duke pranuar humbjen Tsipras u shpreh se po largohej kokë lartë dhe pas katër vitesh në buzë të humnerës, tashmë po i dorëzonte pasardhësit të tij një vend të lirë, në zhvillim ekonomik dhe rezerva në arkat e tyre, me një interes të borxhit në minimumin historik. Lideri i Syrizës u shpreh se rezultati reflektonte çmimin politik të vendimeve të vështira që i ishte dashur të merrte. Por ai theksoi se kjo nuk ishte një humbje strategjike. Ndërsa në një postim në profilin e tij Tuiter do të shtonte se tashmë do të përqendrohej në një opozitë të përgjegjshme duke mbrojtur fitoret e rëndësishme të vendit në vitet e fundit.
Po kush është kryeministri i ri Micotaqis?
Qiriakos Micotaqis është një liberal – reformator dhe një europian i bindur. Për Greqinë ky është një rikthim në normalitet pas krizës ekonomike dhe goditjes populiste – apo ndoshta një restaurim? Programi qeverisës i Micotqiës është reformator, liberal dhe modern. “Jemi një qendër e djathtë e moderuar dhe liberale”, shprehet lideri i qendrës së djathtë. Objektivi është ai i ndryshimit të strukturës ekonomike së vendit, duke shtuar produktivitetin dhe nivelin e rritjes nëpërmjet investimeve të jashtme, liberalizimeve, privatizimeve, investimeve në inovacion dhe kapitalit njerëzor. Premtoi një ulje të taksave për sipërmarrjet dhe pronat duke respektuar njëkohësisht objektivat fiskalë të koordinuar me Europën. Micotaqis dëshiron të shkojë përtej reformimit të Syrizës duke prezantuar një reformim të bindur.
Micotaqis ka studiuar në universitete amerikane me emër si Harvard dhe Stenford, ka punuar në sektorin e Financës në “Cejs Bank” dhe “Mekinsej” para se të bëhej pjesë e politikës, ku pati një eksperiencë si ministër me objektivin për të reformuar dhe dixhitalizuar administratën publike greke. Por ka dhe një “formim” familjar si restaurator. Ai është në fakt një produkt i establishment në Athinë, trashëgimtar i një prej dinastive më të rëndësishme politike të Greqisë moderne së bashku me Papandreu dhe Karamanlis. Ai gjthashtu është një person që nuk pranon asnjë lloj marrëveshjeje me sovranistët.
Ndërkohë vetëm gjashtë parti nga 20 arritën të futen në parlamentin e ri grek. Duhet të kënaqen me 22 vende socialistët e Kinal, dhe me 15 vende komunistët e KKE-së. Por humbja e vërtetë e madhe është ajo e ekstremit të djathtë Agimit të Artë, e cila për shumë pak nuk arriti të kalonte pragun prej 3 për qind dhe në këtë mënyrë mbetet jashtë parlamentit. Në vitin 2015 ata ishin forca e tretë politike në Greqi me 7 për qind të votave kishin siguruar 18 vende në parlament. Ndërkohë që rezistojnë grupimet e reja politike: Zgjidhja greke, lëvizja nacionaliste e themeluar nga ish shitësi televiziv Qiriakos Velopulos, mori dhjetë vende në parlament, dhe Mepa25 e ish-ministrit të Financës Janis Varufakis mori 9 vende me 3.47 për qind të votave.
Pjesëmarrja në votime ishte 57.3 për qind, e njëjta shifër me atë të zgjehdjeve të fundit në shtator të 2015-ës por më e lartë në krahasim me zgjedhjet e 2012-ës dhe janarit në 2015. Ndërsa në vitin 2009 preku minimumin me 30 për qind.
Sipas analistëve qeveria e re duhet të përballet me problem të vjetra dhe një nga çështjet më të rëndësishme që pret një rishqyrtim është ajo e Maqedonisë së Veriut.
Pavarësisht se premtimi kryesor i Micotaqis është ai i uljes së taksave dhe rritjes së rrogave, analistët mendojnë se asgjë nuk do të ndryshojë. Borxhi publik grek mbetet shumë i lartë dhe hapësira për të manovruar për rimëkëmbjen e ekonomisë është shumë e kushtëzuar. Por ajo e premtimeve përballë një realiteti jo dhe aq të favorshëm për plotësimin e tyre nuk është i vetmi problem me të cilin do të përballet kryeministri i ri grek. Është një tjetër çështje e rëndësishme dhe pse për momentin në hije: ajo e Maqedonisë së Veriut.
Vendi fqinj, i cili ndërroi emrin për shkak të kushteve të vendosura nga Greqia, në mënyrë që të vazhdonte procesin për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe në NATO, mund të përbëjë një pengesë jot ë vogël në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Bashkimit Europian.
Ka kaluar tashmë një vit nga marrëveshja e Prespës, e firmosur në 12 qershor 2018, kur ish kryeministri grek Aleksis Tsipras dhe ai i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev arritën marrëveshjen për ndryshimin e emrit. Deri në atë moment, pothuajse për 30 vjet, pala greke vendoste veton për anëtarësimin e vendit në Bashkimin europian duke u mbështetur në pozicionin si shtet anëtar. Arsyeja? Për Greqinë, emri Maqedoni implikonte pretendime territoriale në kufijtë e saj, ku rajoni grek mban të njëjtin emër. Negociatat e vazhduara prej dekadash, të acaruara gjatë qeverisë së nacionalistit Gruevski në Shkup, nuk dhanë asnjë fryt. Gruevski kishte kundërshtuar gjithnjë një marrëveshje.
Në vitin 2017, me premtimin për të zhbllokuar situatën, lideri i socialdemokratëve Zoran Zaev arriti të fitojë. Pas vendosjes së kushteve më të favorshme dy vendet arritën më në fund një marrëveshje. Shumë e kritikuar nga nacionalistët e të dyja vendeve, por gjithësesi një marrëveshje. Një arritje që mori vlerësimet e institucioneve europiane, vetë kancelarja gjermane Merkel ishte në Shkup për t’i shtrënguar dorën protagonistëve si dhe për të premtuar avancimin e procedurës për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Në shumë raste Micotaqis nuk ka pranuar ta shohë marrëveshjen si një tradhti, por gjithësesi do e kundërshtonte nëse do të ishte në pushtet.
Por tashmë kjo marrëveshje mund të jetë objekt rishikimi nga ana e qeverisë së re greke. Vetë Micotaqis, i cili gjithnjë ka qenë kundër ndryshimit të emrit, pjesërisht ia dedikon fitoren në zgjedhjet e fundit kundërshtimit të kësaj marrëveshjeve. Kjo sepse shumë grekë, sidomos ata të rajonit të Maqedonisë kanë ndjenja armiqësie për fqinjët sllavë. Sipas logjikës, kryeministri i ri grek duhet të vazhdojë në këtë linjë. Babai i Micotaqis, humbi postin e tij si kryeministër në vitin 1993 pikërisht për shkak të kësaj mosmarrëveshjeje.
Micotaqis mund të konsiderohet i lirë për të vendosur sërish veton ndak Maqedonisë së Veriut, si shtet anëtar I Bashkimit Europian. I vetmi problem është se nëse vepron kështu, do të bëhet objekt kritikash dhe antipatish politike përvec se ekonomike nga ana e Bashkimit Europian. Si parlamenti dhe Komisioni Europian, në fakt mbështeten marrëveshjen e Prespës; po ashtu dhe Partia Popullore Europiane – pjesë e së cilës është dhe Demokracia e Re- Brenda Parlamentit Europian vlerësuan kapërcimin e ngërçit.
Ideja e vazhdimit të procesit të integrimit europian të Ballkanit, prej kohësh sheh në linjë të parë dhe kancelaren gjermane Anxhela Merkel, e cila merr pjesë në të gjitha samitet që lidhen me Ballkanet dhe nuk humbet asnjë rast për të theksuar vullnetin e saj në idenë e zgjerimit të Bashkimit Europian. Mjafton të mendosh se në samitin e fundit për Ballkanin perëndimor në Poznan, liderë të ndryshëm europianë, mes të cilëve dhe komisioneri europian për politikat dhe fqinjësinë dhe negociatat për zgjerimin, Johanes Hahn, deklaruan në mënyrë të qartë vullnetin e Bashkimit Europian për integrimin e Ballkanit duke thënë se është fati i të gjitha shteteve ballkanike.
Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian, Serbia dhe Mali i zi janë në krye të listës, ndërsa një muaj më parë komisioni dërgoi një rekomandim për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Vendet e vetme kundër kandidaturës së Maqedonisë së Veriut, përvec Greqisë, janë dhe Franca e Vendet e Ulëta. Presidenti francez Makron u shpreh se ishte shumë skeptik kundrejt atyre që thonë se e ardhmja e Europës është një zgjerim i mëtejshëm, ndërkohë që nuk gjendet një marrëveshje mes 28 vendeve, referuar mosmarrëveshjeve për emërimet në postet kryesore të institucionece europiane.
Ajo që dihet është se procesi është i gjatë dhe se do të duhet kohë para se hipoteza konkrete për një anëtarësim të Shkupit të jetë në tryezë. Por dilema e Micotaqis qëndron: të vazhdojë përdorimin e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, duke u përplasur qartë me Komisionin europian. Ndërkohë që pikërisht besimin e këtij komisioni duhet të fitojë Greqia në mënyrë që të ringrihet ekonomikisht. Nga ana tjetër, të hapë rrugë duke lejuar që Maqedonia e Veriut të mbajë emrin e saj dhe të vazhdojë negociatat e qetë, por kjo do të nënkuptonte që Micotaqis nuk do të kishte mbajtur një nga premtimet e bëra elektoratit të tij.
Sipas disa analistëve, nuk do të ndodhë kështu. Ata mendojnë se është e vështirë që kryeministri i ri grek të ketë hapësirë për të rivendosur në tryezën e bisedimeve një marrëveshje të përfunduar. Por dhe nëse marrëveshja për emrin do të qëndronte, mbetet çështja e vetos: a do ta ndalojë ende anëtarësimin? Për momentin, kryeministri i Shkupit Zaev, uroi homologun grek Micotaqis për fitoren, duke paralajmëruar vazhdimësinë në një nivel të mirë të marrëdhënieve mes dy vendeve. Në tetor Këshilli Europian do të vendosë nëse do të pranojë ose jo rekomandimin e komisionit dhe atëherë do të jetë koha që Micotaqis do të përballet me premtimet dhe detyrimet e tij. /ABC News Albania 24/7