Njerëzit në mbarë botën shohin më pak yje në qiell çdo vit që kalon. Vëzhgimet nga shkencëtarë profesionistë dhe amatorë në mbarë botën në vitet e fundit zbulojnë një prirje alarmante: yjet në qiellin e natës po bëhen gjithnjë e më të vështirë për t’u parë për shkak të rritjes së shpejtë të ndotjes nga drita.
Një studim i ri shkencor ka zbuluar se para syve tanë, shpesh pa e kuptuar ne, yjet po zhduken me një shpejtësi mbresëlënëse ose më saktë alarmante.
Sa shpejt ndryshoi dukshmëria e yjeve
Ndryshimi në dukshmërinë e yjeve korrespondon me një rritje vjetore gati 10% në shkëlqimin e qiellit të natës gjatë dekadës së fundit. Kjo do të thotë se një fëmijë i cili kur ka lindur në një zonë, dukeshin 250 yje, sot në të njëjtin vend pas 18 vitesh mund të vëzhgojë maksimumi 100 yje, pra më shumë se gjysma janë bërë tashmë “të padukshëm”.
Syri i lirë i njeriut duhet të jetë në gjendje të shohë disa mijëra yje në një qiell të qartë të errët. Për fat të keq, vlerësohet se rreth 30% e njerëzve në mbarë botën, pothuajse një në tre, kanë humbur tashmë pamjen e tyre për galaktikën tonë për shkak të ndotjes nga drita, dhe problemi po përkeqësohet, sipas hulumtimeve të reja.
Studiuesit e projektit shkencor ndërkombëtar Globe at Night, të udhëhequr nga Christopher Kimba i Qendrës Kërkimore Gjermane për Gjeoshkencën (GFZ) në Potsdam dhe Universitetit të Ruhr-Bochum, të cilët bënë publikimin përkatës në revistën “Science”, analizuan të dhënat e periudha 2011-2022 përfshin gjithsej 51,351 vëzhgime të yjeve me sy të lirë nga njerëzit në afërsisht 19,300 vende në vende të ndryshme, kryesisht në Europë dhe Amerikën e Veriut.
Shkëlqimi i qiellit të natës u dyfishua në më pak se 8 vjet
U vlerësua se shkëlqimi i qiellit të natës u dyfishua në më pak se tetë vjet. Rritja vjetore e ndriçimit, që varion nga gati 7% në Europë në 10% në SHBA, është shumë më e madhe se ajo rreth 2% në vit për rritjen e dritës artificiale bazuar në matjet e rrezatimit satelitor. Kjo është kryesisht për shkak se satelitët matin ndotjen nga drita duke regjistruar kryesisht dritën e drejtuar drejt qiellit, ndërsa qytetarët ndikohen kryesisht nga ndotja nga drita horizontale, e cila është më e madhja.
Nuk errësohet kurrë në shumë pjesë të botës
Në shumë rajone të banuara të Tokës qielli i natës nuk errësohet kurrë plotësisht, pasi ka një shkëlqim të përhapur të dritës artificiale në atmosferë. Kjo ndotje nga drita minon aftësinë për të vëzhguar yjet gjatë natës. Përhapja e ndriçimit LED, i cili lëshon më shumë dritë blu ndaj së cilës sytë janë më të ndjeshëm, ka përkeqësuar situatën.
Përveç kësaj, ndotja nga drita prish tranzicionin ciklik natyror nga dielli në dritën e yjeve dhe mbrapa, një proces natyror me të cilin organizmat biologjikë, përfshirë vetë njerëzit, kanë evoluar. Studimet në të kaluarën kanë nxjerrë në pah efektet mjedisore të ndriçimit artificial, përfshirë për kafshët dhe insektet, por edhe në përgjithësi për ekosistemet e Europës dhe rajoneve të tjera, si dhe për shëndetin e njeriut./abcnews.al