Kreu i PD Sali Berisha pas takimit me deputetët ka folur për mediat lidhur me propozimin e emrit të Ervin Salianjit për të qenë ai kreu i grupit parlamentar, në rast se do të arrinin të rrëzonin Alibejn.
Pozicionimet e fundit në PD vijnë pas vendimit të një dite më parë të grupit parlamentar të drejtuar nga Alibeaj për përjashtimin e 4 deputetëve nga radhët e grupit parlamentar që janë Belind Këlliçi, Tritan Shehu, Agron Shehaj dhe Oerd Bylykbgashi.
Vendimi për përjashtimin e tyre nga radhët e grupit parlamentar të PD erdhi pas skandencës së afatit 1 vjeçar, ku atyre ju ishte lënë kohë për tu distancuar publikisht nga dhuna në selinë e PD në 8 janar të vitit të shkuar.
I pyetur nga mediat për emrin e Salianjit, i cili aktualisht është nënkryetar i grupit parlamentar dhe ka qenë rregullisht pjesë e mbledhjeve të drejtuar nga Alibeaj, Berisha ka thënë se do të respektojë vendimin e deputetëve.
“Salianji është nënkryetar, kështu që unë do pranoj vullnetin e deputetëve të PD”, theksoi Berisha.
Kujtojmë që Ervin Salianji u rendit krah Lulzim Bashës një viti më parë, ndërkohë që palët brenda PD luftonin se kush do të mbante selinë e partisë.