Favoritët e Uimbëlldonit për meshkuj po shkojnë drejt një përplasjeje për trofeun. Gjokoviç, Federer e Nadal fituan, ndërsa tek femrat pati të papritura.
Treshja e “musketierëve” nuk ka ndërmend të shuhet.
Novak Gjokoviç, Rozher Federer e Rafael Nadal, që të gjithë i fituan ndeshjet e radhës dhe u kualifikuan në çerekfinale të Uimbëlldonit.
Tenistët më të famshëm të historisë, që kanë fituar së bashku 53 Grand Sleme, duket se nuk kanë ndërmend t’i hapin rrugë të rinjve, që nuk po tregohen të denjë për t’i mundur.
Fitoret ishin 3-0, madje u rrezikua vetëm një “brejk”, i shpëtuar nga Federer.
Gjokoviç, kampioni në fuqi, mundi pa probleme rivalin pa përvojë, Ugo Humber, numri 66 në botë, me rezultatin e setev 6-3, 6-2 e 6-3.
Rekordmeni i titujve në Londër, Federer, me 8 të tillë, po ashtu nuk u lodh shumë ndaj italianit të ri, Mateo Berretini, dhe pas 1 ore e 14 minutash, fitoi 6-1, 6-2 e 6-2.
Rafael Nadal, specialisti i dheut të ngjeshur, dëshiron fitoren e tretë në Uimbëlldon, dhe kaloi me diferencë portugezin Zhoao Souza, 6-2, 6-2, e 6-2.
Gjokoviç ndeshet në çerekfinale me belgun David Gofen, Federer luan përballë japonezit Kei Nishikore, e Nadal kundër amerikanit Sam Kerrej.
Të papriturat ishin tek femrat.
Numri 1 i botës, Eshli Barti, u eleminua pasi humbi në tre sete ndaj amerikanes, Elison Riske.
Australiania 23-vjeçare, fituese në fuqi e “Rolan Garosit”, nuk kishte lëshuar asnjë set, por kjo nuk e ndihmoi.
Në shtëpi u kthye edhe zbulimi i këtij viti në Uimbëlldon, 15-vjeçarja Kori Gof.
Adoleshentja amerikane u mposht nga rumunia e fortë, Simona Halep, pasi kaloi fillimisht legjendën Venus Uilliams, dhe arriti në raundin e katërt.
Halep, numri 7 i turneut, fitoi 6-3 e 6-3, dhe do të luajë në çerekfinale me kinezen Çan Shuai./ABC News Albania