Vatikani rifillon hetimet për zhdukjen e Emanuela Orlandit

schedule19:53 - 9 Janar, 2023

schedule 19:53 - 9 Janar, 2023

Kreu i çështjeve të drejtësisë të Vatikanit , Alessandro Didi, ka vendosur që Selia e Shenjtë të kryejë hetime të reja për rastin e zhdukjes së Emanuela Orlandit.

Vajza ishte zhdukur më 22 qershor 1983 , kur ishte 16 vjeç, teksa shkonte në një mësim muzike në qendër të Romës. Babai i saj ishte një punonjës i shtetit të Vatikanit.

Hulumtimet gjatë viteve nuk kanë çuar në rezultate thelbësore.

Sipas shtypit, disa nga hipotezat e paraqitura janë se zhdukja e Orlandit mund të lidhet me persona që në vitin 1981 ishin përfshirë në atentatin ndaj Papa Gjon Palit II , nga aksioni i organizatës kriminale të Romës “Banda della Maliana” ose se vajza mund të jetë çuar edhe në një manastir.

Siç raporton agjencia italiane e lajmeve AdnKronos, Papa Françesku kërkoi që të rihapen hetimet dhe të rishqyrtohen të gjitha dëshmitë, provat dhe çdo lidhje e mundshme.

Familja e Orlandit, ndër vite, ka vijuar t’i kërkojë drejtësisë së Italisë dhe Vatikanit, që të mos ndalojnë së trajtuari çështjen, derisa të merren përgjigje thelbësore dhe përfundimtare. Nisma e re e Selisë së Shenjtë, siç u zbulua, lidhet me vullnetin e përgjithshëm të Françeskut për transparencë dhe menaxhim të virtytshëm të shtetit papal./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!