Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka po zhvillon sot një konferencë për mediat bashkë me ministren e Shtetit dhe kryenegociatoren me Bashkimin Europian, Majlinda Dhukën në lidhje me analizën vjetore të punës së tyre për vitin 2022 si dhe objektivat për vitin 2023.
Gjatë fjalës së saj, ministrja renditi disa nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit 2022 të politikës së jashtme si marrjen e mandatit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, samitin mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Tiranë dhe hapjen e negociatave.
“Në mes të këtij viti kishim një tjetër ngjarje të jashtëzakonshme që ishte kurorëzimi i një punë të madhe si hapja e negociatave një ngjarje që duhet të kishte ndodhur më herët por e rëndësishme që për e sot rruga është e hapur. Po punojmë në këtë fazë për të plotësuar e piketave hapëse që do të na mundësojnë mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare.
Për të arritur këtë progres, krahas realizimit të piketave hapëse, Ministria e Jashtme do të forcojë dialogun me vendet anëtare dhe Komisionin Evropian. Bashkëpunimi do të jetë i ngushtë me presidencën suedeze të BE-së dhe asaj spanjolle në gjysmën e dytë të vitit që ka nisur”, tha Xhaçka.
Më tej, ministrja tha se pritet hapja e ambasadës shqiptare në Ukrainë. “Gjatë këtij viti, do te vijohet me intensifikimin e agjendës bilaterale dhe forcimin e mbulimit diplomatik: Pritet hapja e Ambasadës sonë në Ukrainë, hapja e Ambasadës se Azerbajxhanit në Tiranë dhe zyrtarizmi i vendimit për hapjen e Ambasadës sonë në Baku“.
Xhaçka foli dhe për samitin e Berlinit, i cili këtë vit do të mbahet në Shqipëri. “Edhe këtë vit Shqipëria kryeson Procesin e Berlinit dhe do të mirëpresë samitin e këtij viti të Procesit të Berlinit. Samitet në Tiranë në 2022 dhe 2023 janë shprehje e forcimit të rolit të Shqipërisë në rajon,” u shpreh ministrja./abcnews.al