Thellimi i skandalit të korrupsionit në Parlamentin Evropian, rrezikohen marrëveshjet e gazit me Katarin

schedule19:14 - 6 Janar, 2023

schedule 19:14 - 6 Janar, 2023

Skandali i korrupsionit që ka përfshirë Parlamentin Europian u thellua edhe më tej këtë javë pasi zyrtarët njoftuan se do të kërkonin heqjen e imunitetit për dy anëtarë të këtij institucioni të akuzuar se kanë marrë rryshfet nga Katari. Anëtari italian i Parlamentit Europian, Andrea Cozzolino dhe kolegu i tij belg Marc Tarabella, të dy të majtë social-demokratë janë ligjvënësit e fundit europianë të përfshirë në skandalin e korrupsionit, që ka goditur Brukselin. Të dy ligjvënësit i kanë mohuar akuzat. Pas një hetimi të gjatë 1-vjeçar, policia belge bastisiti zyrat dhe shtëpitë e ligjvënësve ku u gjetën 1.6 milionë dollarë para të thata.

Në 9 dhjetor, në shtëpinë e Zv. Presidentes së Parlamentit Europian, Eva Kaili u gjetën 158 mijë dollarë. Ajo u akuzua se kishte marrë rryshfet nga Katari.

“Ryshfeti u mor për të favorizuar Katarin në vendimet e Parlamentit Europian mbi çështje ekonomike, financiare dhe politike”, shprehet Eric Van Duyse nga Zyra e Prokurorit të Belgjikës.

Parlamenti Evropian votoi në 13 nëntor për shkarkimin nga detyra të zëvendës presidentes se Parlamentit, Eva Kaili, përfaqësuese e Greqisë. Në nëntor, para operacionit policor ajo foli në mbështetje të Katarit në Parlamentin Europian, duke i akuzuar kritikët për hipokrizi.

“Ata zgjodhën të përqafojnë një vizion të ri, të jenë të hapur ndaj botës. Megjithatë, disa anëtarë këtu po bëjnë thirrje për t’i diskriminuar ata. I diskriminojnë dhe këdo që bisedon apo angazhohet e akuzojnë për korrupsion. E megjithatë e duan gazin e tyre”, u shpreh aso kohe zonja Kaili. Partneri i zonjës Kaili, që punon si ndihmës në Parlamentin Europian dhe dy persona të tjerë janë akuzuar se kanë marrë para nga Katari. Të gjithë i kanë mohuar këto akuza.

Disa ligjvënës europianë po kërkojnë rishqyrtimin e politikave ndaj Katarit, përfshirë votimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e këtij vendi.

“Mesa duket Katari ka synuar të ndikojë këtë vendimarrje. Aktualisht vendimmarrja për heqjen e vizave është pezulluar”, thotë nga André Wolf Qendra për Politika Europiane. Katari ka mohuar akuzat se ka tentuar të korruptojë zyrtarët europianë dhe ka paralajmëruar se po rrezikohen marrëdhëniet me Europën.

Gjermania dhe Belgjika janë mes vendeve të Bashkimit Euopian që kanë firmosur marrëveshje për të blerë gaz nga Katari, ndërsa vendet e bllokut po tentojnë të mos varen më nga gazi rus pas sulmit të Moskës ndaj Ukranës.

“Për shkak të instrastrukturës së zhvilluar dhe afërsisë me Europën, Katari do të luajë një rol të rëndësishëm. Do të luajë rol edhe më të rëndësishëm për nevojat e Europës për import të gazit”, thotë Wolf. Katari u përball me kritikat e Evropës edhe mbi respektimin e të drejtave të njeriut gjatë muajit të kaluar, gjatë kampionatit botëror të futbollit.

“Ndikoi në disa çështje të rrënjosura mjaft thellë që lidhen me kulturën dhe fenë, të cilat nuk duhen përzierë me Kupën e Botës apo çështje të tjera politike. Mendoj se marrëdhëniet e ndërsjellta mund ta kapërcejnë këtë periudhë, sepse është në interesin e të dyja palëve të bashkëpunojnë”, thotë zoti Wolf.

Presidentja e Parlamentit Evropian ka paralajmëruar se procedimet penale po dëmtojnë besimin tek Bashkimi Europian dhe gjithçka që përfaqëson unioni./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!