Rishi Sunak mbajti fjalimin e parë për 2023, 5 premtimet për një të ardhme më të mirë

schedule21:05 - 4 Janar, 2023

schedule 21:05 - 4 Janar, 2023

Kryeministri britanik Rishi Sunak u zotua për të ulur inflacionin, për të trajtuar krizën shëndetësore dhe për të frenuar emigracionin e paligjshëm, duke përcaktuar prioritetet e qeverisë së tij në mes të trazirave sociale në vend.

Në fjalimin e tij të parë për vitin 2023, kryeministri bëri “pesë premtimet ”, “Pesë bazat mbi të cilat do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët dhe nipërit tanë”, siç tha ai.

Dy vjet para zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, Partia Laburiste e opozitës po kryeson në sondazhe me një diferencë. Në të njëjtën kohë, thirren greva të njëpasnjëshme, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë dhe transportit. Kriza e sistemit shëndetësor publik, i cili është në prag të kolapsit, shqetëson britanikët.

” Ne do të përgjysmojmë inflacionin këtë vit, do të rrisim ekonominë, duke krijuar vende pune dhe mundësi me pagesë të mirë në të gjithë vendin,” tha Sunak.

Kryeministri premtoi gjithashtu uljen e borxhit të vendit, i cili është rritur që nga mesi i vitit 2021 për shkak të inflacionit që ka arritur në 11%.

Premtimi i tij për të përgjysmuar inflacionin është në përputhje me parashikimet e bankës qendrore.

Sunak gjithashtu u zotua të zvogëlojë pritjet e pacientëve në sistemin shëndetësor publik, i cili ka arritur kufijtë e tij pas dhjetë vjetësh masash shtrënguese dhe pandemisë.

Ai përsëriti gjithashtu se do të miratojë ligje të reja për të ndaluar anijet e vogla që mbërrijnë në vend dhe për të dëbuar shpejt emigrantët e paligjshëm.

Më shumë se 45,000 emigrantë kaluan Kanalin Anglez në vitin 2022 për të arritur në Britani, një numër rekord. Në vitin 2021, 27 njerëz vdiqën në një gomone që u përmbys.

“Prioritetet e popullit janë prioritetet e qeverisë,” siguroi Rishi Sunak, duke i kërkuar britanikëve të gjykojnë qeverinë e tij në bazë të përpjekjeve që do të bëjë dhe rezultatet që do të arrijë.

Duke iu përgjigjur këtij fjalimi, Angela Rayner, akuzoi kryeministrin se ‘nuk ka bërë asgjë’. Ajo gjithashtu komentoi se për javë të tëra kishte pasur shumë zhurmë për prezantimin e “vizionit të madh” të Sunak. “Tani që e ka shpallur, vendi ka të drejtë të pyesë: a është kjo e gjitha?” tha Rayner. /abcnews.al