Ylli i basketbollit amerikan, Leonard, synon titullin e tretë me një skuadër të re. Kampioni braktisi Toronton dhe zgjodhi Klipersat në Los Anxhelos.
Nuk kishte ndodhur kurrë që Lojtari më i mirë i finaleve të NBA-së, gjithashtu fituesi i titullit, të largohej menjëherë nga skuadra.
Këtë e bëri për herë të parë në histori Koui Leonard, duke braktisur Toronto Raptorsin për Los Anxhelos Klipersin.
Kjo, vetëm një vit pasi iku nga San Antonio për në Kanada, duke realizuar një nga sezonet më të mëdhenj të të gjitha kohëve.
Pra, pasi qendroi besnik i Spërsave për 7 edicione me radhë, dhe pasi fitoi titullin kampion në 2014, 28-vjeçari hyri në një “karusel” nga cili nuk po mundet të dalë.
Përse këto lëvizje të kampionit?
Nga San Antonio, Koui u largua sepse klubi nuk pati besim tek ai, siç e tregon xhaxhai i tij, Denisi.
Leonardit i ndodhi një dëmtim i rëndë që e la jashtë gati 1 vit, dhe mjekët nuk po e besonin, mesa duket ky dyshim kaloi edhe tek trajneri Greg Popoviç.
Po Toronton, përse e braktisi?
Gjasat janë që ai të mos e kishte vlerësuar skuadrën kanadeze si destinacionin përfundimtar, madje mediat amerikane shkruajnë se edhe klubi e dinte këtë gjë.
Këtë herë ishte Leonardi që nuk kishte besim se do të fitonte gjatë me Raptorsët, ndoshta pati mall për shtëpinë, si djalë i lindur në Los Anxhelos.
Më së fundi, besohet se Koui mendonte se një skuadër nga Los Anxhelosi kishte më shumë shanse të konkurronte për titull.
Gjithsesi, jo të gjithëve u pëlqeu lëvizja e tij.
Legjenda e Çikagos, Skoti Pipen, deklaroi se nëse do të kishte qenë në vend të Leonardit, nuk do t’ua kishte kthyer shpinën shokëve të skuadrës, pak a shumë si kritika që Majkëll Xhordani i bëri Kevin Durantit kur ikur nga Oklahoma tek Golden Stejti.
Ai bisedoi menjëherë me Pol Xhorxhin, dhe ky erdhi nga Oklahoma, për të formuar një dyshe fituese.
Leonard do të ketë tashmë një derbi në Kaliforni me Lebron Xhejmsin dhe Entoni Dejvisin e Lejkërsave, pse jo edhe me Golden Stejtin e Stefën Kërrit dhe Klej Tompsonit./ABC News Albania 24/7