Futbollistja amerikane, Aleks Morgan, akuzon për standarde të dyfishta në sport. Morgan u kritikua për festimin e një goli, por deklaroi se meshkujt bëjnë më keq, dhe kritikohen më pak.
Nja pesë vjet më parë, presidenti rus, Vladimir Putin, kujtoi një thënie lashtësisë greke, “ajo që i lejohet Zeusit, nuk i lejohet demit”!
Putini e përmendi për të thënë se “ariu (nënkupto Rusia) nuk ka nevojë të marrë leje”, ndërsa ne po e përmendim për të kujtuar kritikat ndaj futbollistes së SHBA-së, Aleks Morgan, pasi festoi golin ndaj Anglisë në Botëror.
Morgan festoi duke imituar sikur po pinte një gotë çaj, dhe ajo u sulmua ashpër nga mediat dhe analistët në Angli, veçse vajza amerikane nuk qenka nga ato që ulin kokën, por kundërsulmoi menjëherë.
“Nuk e kuptoj se përse skandalizohen nga festimi im, kur burrat në futboll festojnë duke kapur me duar organet gjenitale, – tha ajo para finales së Botërorit ndaj Holandës, – veprimi im kishte shpjegimin “ky është çaji”, pra me domethënien se po tregoja një histori”.
Kampionia amerikane e pati fjalën për mënyrën sesi festuan golat trajneri i Atletikos, Diego Pablo Simeone, në ndeshjen ndaj Juventusit në Champions, fituar 2-0, dhe po ashtu Kristiano Ronaldo, në duelin e kthimit mes këtyre dy ekipeve, ku portugezi shënoi 3 herë, duke I dhënë kualifikimin skuadrës së tij.
Morgan gjykon se edhe në futboll po përdoren dy standarde, pra duke mos kritikuar meshkujt, por duke e bërë këtë me gratë.
Sulmuesja është pjesë e kombëtares së Shteteve të Bashkuara, që arriti në finalen e Kupës së Botës që po zhvillohet në Francë, pas fitores 2-1 ndaj Anglisë, dhe tani kërkon fitore ndaj Holandës, për titullin e katërt botëror. /ABC news Albania 24/7

