Cilët do të drejtojnë Europën?

schedule14:38 - 6 Korrik, 2019

schedule 14:38 - 6 Korrik, 2019

Cilët janë emrat e rinj që do të drejtojnë Europën? Lagarde merr në dorëzim Bankën Qendrore Europiane, Von der Leyen Komisionin europian, Michel në Këshillin Europian dhe Borrell do të jetë përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme. Emërime këto që nxorrën në dritë përçarjen e boshtit franko – gjerman.

Do të jetë parizienia Christine Lagarde presidentja e re e Bankës Qendrore Europiane, e cila mori postin e Mario Draghi, që mbante postin që nga viti 2011. Është avokate e specializuar dhe në ekonomi – financë. Në vitin 1999 ajo u emëruar president e këshillit administrativ të studios ligjore Bejkër & MeKenzi duke u bërë gruaja e parë që merrte një post të tillë. Në vitin 2005 ajo ishte ministre për Tregtinë e Jashtme dhe në vitin 2007 ministrja e parë femër e Ekonomisë jo vetëm në Francë, por në të gjitha vendet e G8-ës.

63-vjecarja deri pak kohë më parë drejtoreshë e Fondit Monetar Ndërkombëtar në Nëntor do të marrë zyrtarisht drejtimin e Bankës Qendrore euroPiane. Nga fëmijëria në Normandi deri në postet e rëndësishme të ekonomisë botërore, janë të shumta rekordet e regjistruara nga super bankierja franceze.  Flokët e saj të shkurtër ngjyrë argjend dhe kostumet seriozë tashmë janë kthyer në një firmë të saj. Ky është rekordi i saj më i fundit, gruaja e parë që drejton financat europiane. Revista “Forbes” në vitin 2018 e shpalli gruan e tretë më të fuqishme në botë pas Angela Merkel dhe Theresa May. Një vit më parë “Financial Times” e pyeti nëse synonte Bankën Qendrore Europiane dhe ajo u përgjigj Jo. Ajo tashmë ka postin më të rëndësishëm të institucioneve europiane pasi është nën lenten zmadhuese të gjithë financës botërore.

Lagarde është vajza e një profesoreshe të gjuhës latine dhe një profesori të gjuhës angleze, i cili ndërroi jetë kur ajo ishte 17 vjeç. Si drejtoreshë e Fondit Monetar Ndërkombëtar deri në 2 Korrik të 2019-s, ajo u përpoq të rregullonte llogaritë në një planet të çmendur. Me një vështirësi më shumë: të mbështeste ngjitjen e grave në postet kyçe. E bëri duke mbështetur objektivin e G20-ës për të reduktuar me 25 për qind pabarazinë në pjesëmarrjen në botën e punës brenda vitit 2025.  Christine në adoleshencën e saj stërvitej me skuadrën e notit të sinkronizuar. Në moshën 15-vjeçare ajo mori medaljen e bronzit në kampionatin francez.

Më pas një rekord pas tjetrit. Në vitin 2002 Ëall Street Journal e vendos në vendin e pestë mes europianeve me më shumë sukses në bitën e biznesit, ndërsa në vitin 2006 “Forbes” e rendit mes 30 personave më me influencë. E mësuar me konkurrencën amerikane, ajo e cilëson të drejtën sociale franceze si shumë të komplikuar, të rëndë dhe të mbushur me frenime për sa i përket punësimeve. Përballë rritjes së çmimit të karburanteve ajo u këshillon parizienëve të përdorin biçikletat. Anglishtja e saj shumë e mirë dhe marrëdhëniet e mira të ndërtuara në Davos e bëjnë një aset të domosdoshëm për presidentin e atëhershëm Nikola Sarkozy.

Në një nga mbledhjet e para si drejtoreshë e FMN-së ajo e gjen veten në një zyrë vetëm me burra me kostum dhe kollare. Për të thyer akullin u drejtohet: Sa të bukur jeni sot zotërinj. Ndërsa në një mbledhje të eurogrupit, verën e vitit 2015, në kohën e krizës greke, ajo e pret ministrin e financës Varufakis me këto fjalë: Ja ku po vjen bosi i kriminelëve! Varufakis nuk do të qëndronte shumë në këtë post. Pesë vjet më parë ajo i dorëzoi qeverisë greke emrat e listës së famshme “Lagarde”: dy mijë persona që shmangin taksat dhe që kishin llogari bankare në Zvicër. Dhe pse u prezantua si një listë sekrete, ajo më pas u publikua në internet. Në zyrë, Lagarde mban nëpër mure karikatura  të vetes së saj.

Përditshmëria e saj nis në orën 5 të mëngjesit, një shikim i shpejtë i bursës dhe joga. Christine nuk pi duhan dhe as alkool, dhe e cilëson veten si një katolike praktikante. Në moshën 63-vjeçare dhe në mandatin e dytë si president e FMN-së, ajo takon dashurinë e tretë të madhe. Gjithsesi ka mbajtur mbiemrin e bashkëshortit të parë me të cilin ka dy fëmijë, njëri sipërmarrës dhe tjetri arkitekt. Djemtë e mi dinë të hekurosin dhe të përgatisin një vakt, sepse në fund të ditës burrat janë fëmijët e nënave të tyre. Më pas do të ishte radha e biznesmenti britanik Ekran Gilmor. Ndërsa aktualisht ajo është e lidhur me Xavier Giocanti me të cilin takohen një herë në muaj pasi jeton në Marsejë. Çokollata përveç modës është varësia tjetër e saj. Duke shpërndarë çokollata ajo arriti të mbledhë 340 miliardë euro nga vendet e Fondit Monetar Ndërkombëtar,  të cilët i quan klientë. Në një intervistë jo të autorizuar të publikuar nga britanikja “The Guardian” ajo shprehet se burrat e kanë më të vështirë të thonë Jo kur është një grua që i kërkon para.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes – dhe ajo gruaja e parë që mban këtë post, dhe më parë ministrja e Punës dhe Cështjeve Sociale, u zgjodh për të drejtuar Komisionin Europian. Gjermania Ursula von der Leyen është një mbështetëse e kuotave rozë dhe është zëdhënëse e nënave që punojnë, duke kuptuar më së miri problematikat e tyre meqenëse është një doktoreshë dhe ka shtatë fëmijë. Ajo është etiketuar dhe si trashëgimtarja më e mundshme e kancelares gjermane Angela Merkel. Ajo është rritur në Bruksel ku ka frekuentuar shkollën evropiane, por karriera e saj politike nisi në vitet ’90. Pasi u regjistrua në CDU, ajo do të merrte postet e para vendore deri sa në vitin 2003 do të emërohej ministre për Çështjet Sociale me në objektiv familjen dhe shëndetësinë.

Një vit më pas ajo është anëtare e presidencës së Unionit Kristian Demokrat dhe do të hyjë në vëmendjen e Angela Merkel, e cila do i besojë me kalimin e kohës dy ministri të rëndësishme deri tek ministrja e parë femër e Mbrojtjes në historinë e Gjermanisë. Në vitin 2017, ajo akuzoi gjeneralët si të dobët në drejtimin e ushtrisë duke e gjetur veten në qendër të një përplasjeje me zyrtarë ushtarakë dhe më pas në qendër të skandalit ku në radhët e forcave të armatosura u gjendën ushtarë filonazistë. Kritikave ndaj saj, ministrja u përgjigj me deklaratën se ushtria do të pësonte një reformë të madhe dhe se fondi për mbrojtjen do të rritej ndjeshëm.

Në vitin 2015, ajo u akuzua se kishte kaluar në mënyrë të qartë kufirin e tolerueshëm të frazave pa citime në tezën e saj të specializimit në vitin 1991. Von der Leyen u mbrojt duke akuzuar aktivistët në internet se përpiqen të hedhin dyshime mbi tezat e diplomave të politikanëve. Von der Leyen është e martuar me mjekun dhe sipërmarrësin Heiko von der Leyen dhe është nënë e shtatë fëmijëve të lindur në periudhën 1987 – 1999.

Charles Michel është kryeministri i Belgjikës që nga viti 2014. Ai dha dorëheqjen në vitin 2018, duke qëndruar në post për të çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja. Dorëheqja e tij erdhi pas krizës në qeveri e krijuar si pasojë e çështjes së emigrantëve. Në Dhjetor ministrat e partisë së koalicionit kishin dhënë dorëheqjen, pasi ishin kundër politikës së qeverisë për emigrantët. Në vitin 2016, Michel u bë baba për herë të dytë duke thyer rekordin e kryeministrit për të pasur një fëmijë gjatë mandatit. E tashmë Europa e ka zgjedhur për të drejtuar këshillin.

Që nga 1 Dhjetori i këtij viti do të jetë Charles Michel President i ri i Këshillit Europian duke marrë vendin e polakut Donald Tusk, njëkohësisht duke u përqendruar në rolin e tij në qeverinë belge në pritje për të krijuar një mazhorancë të re. Historia politike e Charle Michel duket ajo klasikja e një personazhi të profilizuar në këtë rrugë. Ai konsiderohet si një fëmijë arti duke marrë në konsideratë se babai i tij Luis ishte komisioner europian për kërkime, eurodeputet dhe Ministër i Jashtëm.  Me profesion avokat ai u diplomua në Bruksel duke studiuar më pas dhe në universitetin e Amsterdamit, por shumë herët e kuptoi se do të ndiqte rrugën e babait të tij atë të politikës. Karriera e tij u zhvillua brenda lëvizjes reformatore një parti e komunitetit frankofon belg me frymëzim liberal, ku babai i tij ishte president në të kaluarën.

Në vitin 1999 në moshën 24-vjeçare, ai u zgjodh në Dhomën e Ulët të Përfaqësuesve duke u bërë një vit më pas ministri më i ri në moshë në historinë e Belgjikës në sektorin e çështjeve të brendshme. Në vitin 2006 u zgjodh kryebashkiak i Uavre, qytet me 30 mijë banorë, por kthesa e parë ndodh në Dhjetor të 2007-s kur u emërua ministër i Bashkëpunimit dhe Zhvillimit. Ndërkohë ai merr presidencën e lëvizjes reformatore, duke ndjekur gjurmët e babait të tij, dhe pas zgjedhjeve parlamentare në Belgjikë bëhet kryeministër i një koalicioni qeverisës të përbërë dhe nga tre parti flaminge: kristian demokratët, liberalët dhe demokratët dhe aleanca e re flaminge e rrymës së djathtë.

Historia politike e Belgjikës tregon një paqëndrueshmëri në mazhorancat që formohen herë pas here. Charles Michel arriti të rezistonte deri në Dhjetor të 2018-s kur qeveria e tij u rrëzua pas largimit të aleancës së re flaminge.  Në Europë lëvizja reformuese është anëtar historik i ALDE, grupit të liberalëve që shohin tek presidenti francez Emmanuel Macron liderin e tyre. Roli i Michel do të jetë koordinimi dhe drejtimi i Këshillit Europian, thënë ndryshe organizmit që bashkon të gjithë krerët e shtetit apo qeverive të Bashkimit Europian.

Përfaqësuesi i lartë për politikat e jashtme në Bashkimin Europian është Josep Borrell – ministër i Jashtëm spanjoll në qeverinë e Sanchez. Ai e nis karrierën e tij në parlament në vitin 1986 dhe si rrjedhim mori postin e ministrit të Transportit dhe Ambientit. Në vitin 2002 mori pjesë në konventën europiane dhe redaktoi një traktat i cili nuk u miratua nga disa shtete anëtare. Në vitin 2004, ai u bë president i Parlamentit Europian deri në vitin 2007. Pasardhësi i Mogherinit, 72-vjeçari Borrell, ka një karrierë politike të jashtëzakonshme si në skenën kombëtare ashtu dhe në atë ndërkombëtare, dhe kjo falë aftësive të tij diplomatike. Fillimisht këshilltar e më pas sekretar shteti në Madrid, disa ministri, por dhe një rol kryesor në ndërhyrjen për krizën në Venezuelë.

Kjo është sfida e tij më e fundit, si përfaqësues i lartë i politikës së jashtme dhe sigurisë, një post strategjik në Bashkimin Europian për të cilin duhet këmbëngulje dhe eksperiencë në fushën ndërkombëtare. Është një rol shumë i rëndësishëm pasi synon koordinimin, organizimin, drejtimin dhe vendosjen – në marrëveshje me këshillin – politikën e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Pavarësisht faktit se vinte nga një familje e thjeshtë – babai i tij ishte një bukëpjekës – Borrell ndjek studimet për master në Francë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke konfirmuar synimin e tij për politikën ndërkombëtare. Karriera e tij politike nis në vitin 1975, kur bashkohet me partInë Socialiste. Në periudhën 2004 – 2007, Borrel hyri në Parlamentin Europian si eurodeputet në Partinë Popullore Europiane, duke marrë dhe postin e presidentit. Pas përfundimit të mandatit europian ai iu dedikua sërish politikës spanjolle duke marrë postin e Ministrit të Jashtëm.

Nga gazetaria televizive në drejtimin e Strasburgut, David Sassoli është president i ri i Parlamentit Europian. Eurodeputet që nga viti 2009 ai u zgjodh në raundin e dytë pas vetos së vendosur nga laburistët britanikë dhe socialistët gjermanë. Thelbi i fjalës së tij ishte: T’u kthejmë qytetarëve besimin tek institucionet. Gazetar dhe drejtues televiziv, ish-zëvendës drejtor i TG1, David Sassoli, i ditëlindjes 1956, është prej dhjetë vitesh eurodeputet dhe që nga viti 2014 mban postin e zëvendës presidentit të Parlamentit Europian.

I kandiduar nga socialistët pa mbështetjen e qeverisë, përfaqësuesi i Partisë Demokrate italiane merr postin më të lartë të Parlamentit Europian duke zëvendësuar një tjetër Italian, Antonio Tajani. Gjithçka ndodhi duke u bazuar në principin e stafetës, meqenëse liderët europianë do të donin që socialistët dhe popullorët të ndajnë mandatin me një alternim prej dy vitesh e gjysmë secili. Dhe në fakt as Partia Popullore Europiane dhe as liberalët nuk prezantuan një kandidatin e tyre në këtë fazë.  Një katolik demokrat, Sassoli nis që në moshë të re të ndjekë politikën. Në radhët e demokratëve italianë, Sassoli militoi në zonën që drejtohet nga Dario Franceskini, dhe ka prej vitesh një marrëdhënie shumë të mirë me ish-kryeministrin Paolo Xhentiloni, aktualisht kryetar partie. Për Partinë Demokrate zgjedhja e tij në presidencën e Parlamentit Europian mund të konsiderohet një fitore.

Gjermania dhe Franca do të kenë në pesë vitet e ardhshme përgjegjësi të veçanta në menaxhimin e Bashkimit Europian. Një gjë e tillë nuk ndodhte prej dekadash. Vendimi i Këshillit Europian për t’i besuar drejtimin e komisionit Ursula Von der Leyen dhe presidencën e Bankës Qendrore Europiane Christine Lagarde mund të mos i pëlqejë atyre që janë të bindur se Europa dominohet nga dy vende të mëdha të kontinentit. Vendimet u morën pas negociatave tre ditore, të nisura të dielën dhe të përfunduara mbrëmjen e së martës. Beteja ishte e gjatë pasi 28 vendet anëtare kërkonin një siguri për një ekuilibër politik pasi Këshilli Europian shpesh herë përbëhet nga qeveri të dobëta, në disa raste minoritarë apo teknikë të mbështetur nga mazhoranca  të fragmentizuara. Për më shumë fragmentizimi i vetë Parlamentit Europian komplikoi dhe më shumë kornizën.

Parisi dhe Berlini kanë dalë me kokën lartë në përballjen me liderët europianë. Është diçka pozitive për të dy vendet por ndoshta dhe për Europën. As Von der Leyen dhe as Lagarde nuk kanë pushtet të plotë. E para do të jetë në skuadër me zëvendës president të rëndësishëm mes të cilëve Marget Veshtager e Frans Timermans. E dyta është faktikisht zëdhënësja e një këshilli drejtues që rigrupon 24 bankierë të tjerë qendrorë. Tradicionalisht drejtues që vijnë nga vende të vogla e kanë pak të vështirë të drejtojnë dhe kontrollojnë institucione të mëdha komunitare ku përfaqësitë e tyre kombëtare janë të pakta. Mbështetja e kryeqyteteve të tyre është e kufizuar. Dhënia Francës dhe Gjermanisë poste të larta të institucioneve europiane duhet të ndërgjegjësojë dy vende të mëdha të Bashkimit Europian. Të lehtësojë kërkimet për kompromis, si dhe të bëjë të mundur aplikimin e axhendës strategjike për pesë vitet e ardhshme./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!