Plot 17 ditë pas vendosjes së barrikadave nga serbët, janë rritur tensionet në veri të Kosovës. Misioni i NATO-s në Kosovë njoftoi se ka nisur hetimet pas të shtënave me armë zjarri pranë një patrulle të tij në Zubin Potok. Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, ka dërguar shefin e shtabit të ushtrisë serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën.
Eksperti për çështjet e sigurisë, Fadil Kajtazi, në një lidhje të drejtpërdrejtë me “Abc Live” në ABC deklaroi se kërkesat nga pala serbe janë politike, pasi janë të imponuara nga Serbia për arsye se shteti serb e dëshiron atë territor.
Kajtazi: Falë prezencës së ndërkombëtarëve në atë pjesë deri tani nuk kemi një agresion ushtarak. Meqë kërkesat janë politike, edhe zgjidhja duhet të jetë politike. Kosova nuk ka për momentin kapacitete ta bëjë. Ndërkohë që serbët kanë gjithë kapacitetin që ta destabilizojnë situatën atje dhe është e rëndësishme ndërhyrja e ndërkombëtarëve.
Eksperti theksoi se qeveria e Kosovës nuk mund të imponojë asnjë zgjidhje për arsye se ndërkombëtarët bëjnë presion te pala serbe që të përmbahen nga përdorimi i forcës, por të njëjtën gjë bëjnë edhe te pala kosovare.
Prandaj zgjidhja e vetme, sipas ekspertit, që do t’i japë fund kësaj situate është një politikë aktive e jashtme e qeverisë së Kosovës, e cila sipas gjykimit të Kajtazit është në gjumë.
Kajtazi: Nuk ka transparencë për sa i përket kësaj çështjeje. Serbët do tentojnë herë pas here të rrisin tensionet për të treguar se jemi ne që do vendosim çfarë rrjedhë të marrë kjo çështje. Serbët lokalë po kërcënohen që të dalin në protestë.
KFOR njoftoi sot se janë planifikuar takime ndërmjet të gjitha palëve të përfshira, megjithëse pa përcaktuar konkretisht se për cilat palë bëhet fjalë./Abcnews.al/