Sot Krishtlindje, festojnë besimtarët e krishterë, kryepeshkopi Janullatos: Lutje për paqe dhe harmoni

schedule17:10 - 25 Dhjetor, 2022

schedule 17:10 - 25 Dhjetor, 2022

Nga Gerta Vasku 

Besimtarët e krishterë kremtojnë sot lindjen e Jezu Krishtit. Krishtlindja është festa më e rëndësishme e besimit të krishterë, pas Passhkëve.

Sipas traditës, besimtarët ortodoksë i ngjitën herët mëngjesin e 25 dhjetorit shkallët e katedrales “Ngjallja e Krishtit” për të marrë pjesë në meshën e Krishtlindjeve, që  u udhëhoq nga Kryepeshkopi Anastas Janullatos. Kryepeshkopi bëri thirrje për më shumë paqe dhe harmoni.

Besimtarët ortodoksë u lutën për shëndet, dashuri, mirëqenie dhe mbarësi për të gjithë shqiptarët.

“Shëndet dhe mbarësi për popullin shqiptar, kudo ku janë.”

“Mbarësi të gjithë shqiptarët, ti kenë tavolinat plot dhe fëmijët prindërit afër. U luta për shëndet dhe mbarësi.”

“Mbi të gjitha shyqyr që ia arritëm kësaj dite për të dalë ashiqare se brezi ynë i bënte fshehurazi këto se ashtu ishte koha.”

Në këtë ditë të shënuar, kjo e moshuar kërkon zhvillim për vendin.

“Unë jam e moshuar, e lumtur kam qenë. Shqipëria të ecë përpara, të na e bëjnë jetën sa më të lumtur sidomos ne të moshuarve.”

Ky qytetar mesazhin e tij ia adreson politikës.

“Duhet te gjithë të bashkohemi, të mos shohin interesat personale të politikës. Të gjithë këta njerëz që janë këtu duan të gëzojnë. Jeta është e bukur dhe u uroj të gjithë të krishterëve ne botë gëzuar krishtlindjet urime dhe televizioni juaj që është shumë simpatik.”

Në meshë nuk munguan as vogëlushët.

Ndërsa mesha e besimtarëve katolikë në Tiranë nisi mbrëmjen e 24 dhjetorit dhe vazhdoi deri pas mesnate në Katedralen e Shën Palit. Mesha u drejtua nga kreu i dioqezës metropolitane Tiranë Durrës, Arjan Dodaj.

Për besimtarët katolikë dhe ortodoksë, në këtë ditë ka ardhur në jetë nga Virgjëresha Mari, shpëtimtari Jezu Krishti, biri i Perëndisë. Krishtlindja simbolizon unitetin dhe ngrohtësinë e të qenit të gjithë pranë familjes. Simbol i kësaj feste janë shpërndarja e dhuratave, pema e krishtlindjeve dhe tryeza me ushqime të larmishme./Abcnews.al/