Bashkimi Evropian është shprehur i shqetësuar me disa dispozita të Ligjit të ri të Kosovës për zyrtarët publikë. Përmes një komunikate për media, BE shprehu keqardhje që Kuvendi nuk i mori parasysh komentet e tij dhe të ekipit të ekspertëve të OBZHE/SIGMA.
“Ligji i ri për zyrtarët publikë është problematik përkitazi me sigurimin e një shërbimi civil të bazuar në merita që mund të menaxhojë në mënyrë efektive burimet njerëzore, pasi shton liri të tepruar veprimi në procedurat e rekrutimit, transferimit si dhe në procedurat disiplinore të nëpunësve civilë, duke e bërë shërbimin civil potencialisht të cenueshëm ndaj politizimit”, thuhet në deklaratë.
BE thotë se komentet e tyre kishin për qëllim të udhëzojnë në mënyrën më të mirë dhe të mbështesin qeverinë për të siguruar një shërbim civil të depolitizuar dhe profesional, me një sistem transparent të shpërblimit të bazuar në merita, në përputhje me parimet e reformës së administratës publike dhe me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet BE-së dhe Kosovës.
“BE-ja angazhohet në dialog të vazhdueshëm me autoritetet për të gjitha aspektet e reformës së administratës publike pasi kjo është parakusht kyç për integrimin në BE dhe me rëndësi thelbësore për funksionimin e institucioneve dhe ofrimin e shërbimeve për popullin e Kosovës. BE-ja është gjithashtu partneri kryesor i Kosovës për sa i përket mbështetjes financiare për këto reforma”, thuhet në deklaratë.
“BE-ja do të vazhdojë të monitorojë zhvillimet që prekin reformën e administratës publike në Kosovë, do të raportojë për këto çështje në raportet e saj vjetore për Kosovën dhe mund të rivlerësojë ndihmën e saj në këtë fushë”, përfundon deklarata.
Përpos komenteve për projektligjin për zyrtarët publikë, BE thotë se ka pasur komente edhe për Projektligjin për pagat.
Ndryshe, gjatë së enjtes, Kuvendi shqyrtoi në lexim të dytë Projektligjin për zyrtarë publikë si dhe atë për paga. PDK, LDK dhe AAK paraqitën qëndrimet kundër këtyre projektligjeve.
Mirëpo, me 58 vota për, asnjë votë kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi miratoi Projektligjin për zyrtarët publikë.
Ndërsa me 63 vota për, asnjë votë kundër dhe një abstenim Kuvendi miratoi Projektligjin për pagat në sektorin publik./Kosova Press/