A do të përfitojë ekonomia e Argjentinës pas fitores së titullit kampion bote?

schedule13:56 - 21 Dhjetor, 2022

schedule 13:56 - 21 Dhjetor, 2022

Kampionati Botëror 2022 në Katar përfundoi me një duel spektakolar mes Argjentinës dhe Francës. Vendi pritës, Katari, do të ndiejë trashëgiminë e këtij turneu për dekada, mendojnë ekspertët. Organizimi i kampionatit u vlerësua nga shumë të ftuar – përfshirë edhe ata nga Perëndimi, ku vendi u kritikua për mungesën e respektit për të drejtat e njeriut ose për gjendjen e punëtorëve atje.

Në të kaluarën, ekspertët kanë hulumtuar vazhdimisht efektet e organizimit të ngjarjeve të mëdha sportive (të tilla si Lojërat Olimpike ose Kampiponati Botëror në futboll) në ekonominë e vendit pritës. Në të njëjtën kohë, efektet e provuara ekonomike (dhe në fund të fundit fitimi) ishin më pak se sa pritej. Ndërsa efekti i vetë organizimit ishte afatshkurtër. Pak më pak studime i janë kushtuar sesi fitimi i Kampionatit Botëror ndikon në vendin prej nga vijnë kampionët e botës?

Rritje e prodhimit bruto

Pesë kombe të ndryshme kanë fituar titujt e ekipeve më të mira në shtatë kampionatet e fundit: Brazili (1994, 2002), Franca (1998, 2018), Italia (2006), Spanja (2010) dhe Gjermania (2014). Në gjashtë nga shtatë raste, vend i që ka fituar kampionatin ka shënuar një rritje më të lartë të GDP në vitin e turneut sesa në dy vitet e afërta.

Në vitin 1994, Brazili kishte një rritje ekonomike rekord prej 5.9 për qind. Një gjë e ngjashme ndodhi edhe në vitin 2002 – kur Brazili ishte më i mirë se Gjermania në finale. Ekonomia e Brazilit këtë vit është rritur me 3.1 për qind. Rritje dukshëm më e lartë e GDP se një vit më parë (1.4%) ose në vitin pas turneut (1.1%).

Në vitin 1998, Franca fitoi titullin e saj të parë kampion bote dhe ate si nikoqire. Ekonomia kombëtare atë vit u rrit me 3.6 përqind – dukshëm më shumë se në 1997 ose 1999. Por diçka më ndryshe ishte në vitin 2018, kur francezët fituan titullin e dytë të kampionatit botëror. Ekonomia franceze këtë vit shënoi rritje pak më të dobët (1.9%) sesa në vitin para kampionatit (2.3%).

Suksesi i Italisë në Kupën e Botës 2006 u shoqërua me një rritje të GDP-së prej 1.8 për qind, që do të thotë një rritje më e lartë se një vit më parë (0.8%) dhe një vit pas turneut në Gjermani (1.5%). “Efekti i Kampionatit Botëror” u ndje edhe në Gjermani në vitin 2014, kur ekonomia kombëtare u rrit me 2.2 për qind, që ishte dukshëm më e lartë se në vitin 2013 (0.4%) ose 2015 (1.5%).
Ndërsa në vitin 2010, spanjollët fituan titullin e parë të kampionatit botëror. Në atë vit, i cili u shënua nga një krizë e madhe ekonomike, ekonomia spanjolle u rrit me 0.2 për qind. Një vit para turneut, GDP-ja ra me -3.8 për qind, ndërsa një vit pas kampionatit shënoi rënie me -1.2%.

Efekti dhe krenaria kombëtare

A është vërtet një arsye për rritje ekonomike fitimi i titullit kampion bote apo është rastësi? Gjatë Kupës së Botës 2014, kolumnisti Allen St. John në revistën amerikane “Forbes” shkruante: “Në muajt pas fitimit të titullit të kampionatit botëror, duket se ka një rritje afatshkurtër të shkallës së produktivitetit. Mund të imagjinohet si një lloj ‘rritje kombëtare e sheqerit’ me një efekt afatshkurtër të energjisë, e cila më pas bie përsëri.

A është rritja e GDP-së shkak edhe për rritjen e konsumit të brendshëm, si rezultat i festimit të suksesit? Nuk ka shumë të dhëna për këtë, por përpara Kupës së Botës në vitin 2022, Universiteti i Surrey-t në Angli kreu një studim nga i cili del se rritja e GDP-së mbështetet kryesisht në rritjen e eksportit, e jo në rritjen e konsumit të brendshëm apo të investimeve.

“Kërkimet konfirmojnë tezën se suksesi në një nga garat sportive ndërkombëtare më prestigjioze dhe më të respektuara ka potencialin e ndikimit në ciklin e biznesit”, thotë autori i studimit, Marco Melo. Të dhënat për rritjen ekonomike u krahasuan me të dhënat nga ato vende që nuk e fituan turneun.

Kriza në Argjentinë

Një bum ekonomik do të ishte një bekim i vërtet për argjentinasit. Ky vend prej vitesh është në krizë të thellë ekonomike. Ndaj sukseset në terrenet sportive të paktën për pak kohë kanë larguar vëmendjen nga problemet në vend. Recesioni, inflacioni, zhvlerësimi i monedhës vendase – rreth 40 për qind e argjentinasve (një vend me rreth 45 milionë banorë) jetojnë nën kufirin e varfërisë.

Kriza në Argjentinë është në fakt e një natyre të përhershme – dhe praktikisht zgjat që nga kolapsi i sistemit financiar në vitin 2001. Inflacioni pritet të arrijë në 100 për qind këtë vit, ndërkohë që borxhet vazhdojnë të rriten. Duke pasur parasysh problemet kaq të rënda në vend, është e vështirë të pritet që një triumf në shkretëtirën e Katarit të ketë ndonjë efekt tepër të rëndësishëm në GDP-në kombëtare.

Federata Argjentinase e Futbollit (AFA), e cila do të përfitojë nga bumi i shitjeve të mallrave sportive që mbajnë stemën e kampionit të ri botëror, ka arsye për të qenë e lumtur. Sipas të dhënave zyrtare, kërkesa për fanellën e Adidasit me numrin dhjetë të Lionel Messit ka “shpërthyer” bukvalisht.

Meqë ra fjala, Adidasi është “absolutisht i kënaqur” me biznesin në kuadër të Kupës së Botës 2022. Qarkullimi që lidhet me Botërorin këtë vit mund të shkojë deri në 400 milionë euro. Pjesa më e madhe e qarkullimit deri tani është realizuar në tremujorin e katërt të këtij viti./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!