Qetësohet situata në Stromboli pas shpërthimit të vullkanit

schedule14:20 - 4 Korrik, 2019

schedule 14:20 - 4 Korrik, 2019

Ishulli italian i Strombolit, po i rikthehet normalitetit pas dy shpërthimeve të forta të së mërkurës, si pasojë e të cilave mbeti i vrarë një 35-vjecar. Kryebashkiaku konfirmoi se turistët janë larguar pothuajse të gjithë, por disa prej tyre janë rikthyer për të vazhduar pushimet.

Natë pothuajse e qetë në Stromboli, ku situata po kthehet gradualisht në normalitet pas dy shpërthimeve të fuqishme të vullkanit pasditen e të mërkurës. Shpërthime që shkaktuan vdekjen e një 35-vjeçari si dhe plagosjen e tre personave. Zjarrfikësit po shuajnë dhe zjarret e fundit, ndërsa aeroplanë të vegjël monitorojnë zonën nga qielli.

Pothuajse të gjithë turistët janë larguar nga zona nëpërmjet trageteve, ndërsa autoritetet italiane kanë vendosur në dispozicion mjete lundruese në rast se dhe banorët do të duan të largohen nga ishulli.

Shpërthimet janë pasuar me lëkundje të lehta tërmeti me magnitudë më të vogël se 2. Në fshatin më të prekur në Xhinostra, banorët po pastrojnë zonën nga hiri i vullkanit dhe mbetjet e tjera si pasojë e shpërthimit.

Mediat italiane shkruajnë se viktima mund të ketë humbur jetën si pasojë e një goditjeje të fortë në kraharor pas rrëzimit mbi gurë në përpjekje për t’u larguar nga tymi. Kryebashkiaku u shpreh se nuk ka pasur domosdoshmëri për evakuim dhe madje disa turistë janë kthyer sërish për të vazhduar pushimet e tyre./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!