Presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar Shërbimin Federal të Sigurisë që të rrisë mbikëqyrjen e kufijve, duke përdorur të gjitha mjetet në dispozicion për të parandaluar rreziqet nga jashtë.
Duke folur në Ditën e Shërbimeve të Sigurisë, Putin tha se shfaqja e kërcënimeve të reja rrit nevojën për aktivitet më të madh të inteligjencës.
“Kufiri shtetëror është pika më e rëndësishme, kyçe në sigurinë e vendit, ndaj duhet mbrojtur dhe çdo tentativë për ta shkelur duhet të pengohet shpejt dhe me efektivitet duke përdorur forcat dhe mjetet që kemi në dispozicion, duke përfshirë njësitë lëvizëse të veprimit dhe forcat speciale”.
Ai e përshkoi të vështirë situatën e rusëve në rajonet e vetëshpallura dhe kërkoi garantimin e sigurisë së tyre nga FSB.
“Situata në republikat popullore të vetëshpallura të Donetsk dhe Luhansk dhe në rajonet Kherson dhe Zaporizhzhia është jashtëzakonisht e vështirë.
Por njerëzit që jetojnë atje, qytetarët rusë, i kanë shpresat te ju, për mbrojtjen tuaj. Është detyra juaj të bëni gjithçka që është e nevojshme për të garantuar sigurinë e tyre dhe për të respektuar sa më shumë të drejtat dhe liritë e tyre. Nga ana jonë do të vazhdojmë të forcojmë forcat e reja me mjete ushtarake, armë dhe personel me përvojë”, tha Putin.
FSB, e kryesuar nga aleati i Putinit, Alexander Bortnikov, do të rrisë gjithashtu mbikëqyrjen e tubimeve masive, objekteve strategjike dhe infrastrukturës energjetike.
/abcnews.al