Disa njerëz priren të ndrydhin vazhdimisht emocionet e pakëndshme.
Menaxhimi i emocioneve në këtë mënyrë i mundëson një personi të ndihet më mirë për momentin, megjithatë, në planin afatgjatë fillojnë të shfaqen disa simptoma si pasojë e grumbullimit të ndjenjave negative.
Këto janë disa simptoma që mund të jenë një reflektim i ikjes nga ajo që ndjejmë.
Ankthi
Ankthi mund të shkaktohet nga shumë faktorë. Ndonjëherë është thjesht një frikë nga përballja me pasigurinë. Ndonjëherë është rezultat i parashikimit të rezultateve negative të disa ngjarjeve (të menduarit karakteristik është “po sikur…kjo dhe ajo të ndodhë”). Nëse ankthi nuk shkaktohet nga një situatë specifike, por shfaqet si një shqetësim i papërcaktuar, ka mundësi që ai të jetë produkt i emocioneve të pashprehura. Çdo ndjenjë mbart me vete një energji të caktuar. Kur e mbajmë këtë energji brenda dhe nuk e shprehim, mund të krijojë një gjendje tensioni dhe ankthi të paqartë.
Depresioni
Kur ndrydhim ndjenjat e trishtimit dhe pikëllimit për shkak të një humbjeje, mund të prodhojë depresion. E qara zakonisht na ndihmon të ndihemi më mirë, kështu që në mënyrën më të mirë mund të pikëllojmë humbjen-vdekjen e një personi të afërt, ndarjen apo divorcin. Është e natyrshme të ndjesh pikëllim pas humbjeve, dhe është krejtësisht e natyrshme ta shprehësh atë pikëllim. Do të jetë e vështirë dhe e dhimbshme për një kohë, por nëse shprehim trishtimin tonë, ai do të zhduket më shpejt se sa ta ndrydhim atë. Depresioni mund të jetë gjithashtu rezultat i ndrydhjes së zemërimit. Nëse ndjeni se jeni në depresion pa ndonjë humbje të dukshme, është mirë të pyesni veten për çfarë jeni të zemëruar.
Simptomat psikosomatike
Simptomat e zakonshme psikosomatike si dhimbja e kokës, ulçera në stomak, presioni i lartë i gjakut janë shpesh rezultat i mosshprehjes kronike të emocioneve. Edhe pse këto simptoma mund të ndodhin si rezultat i çdo lloj stresi kronik, ndrydhja e ndjenjave për vite është një formë stresi që manifestohet në nivel fizik. Nëse mësoni të identifikoni dhe shprehni ndjenja të forta, atëherë kjo mund të çojë në reduktimin dhe madje edhe rikuperimin e llojeve të ndryshme të simptomave psikosomatike.
Tensioni i muskujve
Shtrëngimi dhe ngurtësimi i muskujve është një nga simptomat më të zakonshme të mbajtjes kronike emocionale. Ne priremi të shtrëngojmë grupe të caktuara të muskujve kur duam të shtypim dhe të ndalojmë atë që ndjejmë. Tensioni i grupeve të ndryshme të muskujve është përgjegjës për mbajtjen e emocioneve të ndryshme. Zemërimi dhe zhgënjimi zakonisht “mbahen” në muskujt e qafës dhe të shpatullave. Trishtimi mbahet në muskujt e gjoksit dhe muskujt rreth syve. Frika në zonën e diafragmës, ndërsa dëshira seksuale e mbajtur reflektohet në shtrëngimin e muskujve të legenit. Sidoqoftë, ky korrelacion midis mbajtjes së emocioneve specifike dhe tensionit të muskujve të pjesëve të caktuara nuk duhet të merret fjalë për fjalë, jo të gjitha ndjenjat e shfaqura lidhen me një zonë ekskluzive të muskujve, por shtrëngimi i muskujve si i tillë është një reflektim i ndrydhjes së emocioneve.
Pasi të shihni lidhjen midis këtyre simptomave dhe mosshprehjes së ndjenjave tuaja, është e rëndësishme të provoni të kundërtën. Pyete veten: Çfarë ndjej? Cili është emocioni im kryesor? Çfarë është ajo që unë dua? Pyesni veten, lejojini vetes të ndjeni dhe shprehni atë që ndjeni. /abcnews.al