Tensionet në veri, policia e Kosovës: Jarinje e Bërnjaku mbeten të mbyllura

schedule16:41 - 19 Dhjetor, 2022

schedule 16:41 - 19 Dhjetor, 2022

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se forcimi i rendit dhe sigurisë publike, parandalimi i akteve kriminale si dhe ndërmarrja e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në gjithë vendin, përfshirë zhvillimet në veri të vendit mbesin ndër prioritetet e saj.

Që nga vendosja e nëntë barrikadave nga persona/grupe kriminale, situata e sigurisë në veri të vendit vazhdon të jetë e njëjtë, ku si pasojë e këtyre barrikadave dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak ende mbesin të mbyllura për qarkullim, shkruan KosovaPress

Referuar situatës së krijuar, bllokimit të rrugëve, e rasteve/sulmeve të ndodhura nga grupet kriminale, kanë bërë që të krijohen rrethana të reja të punës e po ashtu kanë ndikuar edhe në jetën e qytetarëve të asaj zone, të cilët nuk po mund të kenë lëvizje të lirë si dhe nuk po e kanë qasjen e lehtë në shërbimet e tyre të nevojshme.

Edhe përkundër këtyre rrethanave të krijuara në veri të vendit, Policia e Kosovës po angazhohet me të gjitha format që t’iu dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve pa dallime, si dhe të punojë në parandalimin e akteve kriminale, të cilat po organizohen nga persona të përfshirë në grupe kriminale të organizuara nga brenda dhe jashtë Kosovës.

Në këtë drejtim, bazuar në informacionet që posedon, Policia e Kosovës po bashkëpunon ngushtë me institucionet relevante të sigurisë, në ndërmarrjen e masave të nevojshme ligjore, në interes të ruajtjes së rendit kushtetues të RKS-së, mundësimit të lëvizjes së lirë dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar.

Policia e Kosovës vazhdon të jetë e mirëpritur nga qytetarët në nivel vendi, përfshirë edhe nga banorët në veri të vendit, të cilët bashkëpunojnë me njësitet policore, që ofrojnë siguri dhe shërbime policore për qytetarët pa dallime.