Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka folur për mediat pasi ishte e pranishme në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ku do të zgjidhet së shpejti kreu i ri i SPAK.
Kim përgëzoi tre kandidatët, Edvin Kondili, Adnan Xholi dhe Altin Dumani dhe bëri thirrje që përzgjedhja të mos bëhet bazuar në favore dhe kërcënime.
“Jemi me fat, kemi 3 kandidatë që janë vërtet shumë të kualifikuar. Përpara tyre kanë një vendim të vështirë, baza e këtij vendimi duhet të jetë objektive, duhet të jetë shembull i kritereve dhe i kualifikimeve. Nuk duhet të jetë e bazuar në pereptimi i kërcënimeve apo premtime për favore. Kjo do të thyente integritetin e procesit zgjedhor. Kushdo që është zgjedhur duhet ta dijë që është zgjedhur në bazë të kritereve dhe kualifikimit dhe jo në bazë të premtimeve dhe kërcënnimeve, sepse kjo do t’i japë perceptimin që i detyrohet diçka ndokujt. Kështu që kushdo që të zgjidhet duhet të konsiderojë që zoti i tij i vetëm është ligji dhe duhet të japë më të mirë në këtë vend. Nuk ka një nënkuptim, erdha këtu sepse në këtë kohë ma lejonte agjenda ime. Do ta ndjek po aq afër këtë proces sa edhe ju”, tha Kim.


