Itali, gjykata liron kapitenen e “Sea Watch 3”

schedule23:15 - 2 Korrik, 2019

schedule 23:15 - 2 Korrik, 2019

Drejtësia italiane ka liruar nga arresti shtëpiak dhe ka shpallur të pafajshme kapitenen e anijes me emigrantë që ankoroi në portin e Lampeduzës. Në vendimin zyrtar thuhet se 31-vjeçarja ka bërë detyrën e saj duke shpëtuar jetë.

Një gjykatë italiane vendosi të martën se kapitenia gjermane e anijes me emigrantë nuk e ka shkelur ligjin kur ka thyer bllokadën detare për të mos ankoruar anijen në portin e Lampeduzës. Sipas mediave italiane, kapitenia Karola Rakete ka bërë vetëm detyrën e saj për të shpëtuar jetët e emigrantëve. 31-vjeçarja gjermane nuk iu bind urdhërave të ushtrisë italiane dhe hyri në portin e Lampeduzës ditën e diel, duke goditur edhe një patrullë policie që po lundronte me varkë pranë anijes “Sea Watch 3” me 41 emigrantë në bord.

Ajo u arrestua menjëherë dhe u vendos në arrest shtëpie, por të martën gjyqtarja Alesandra Vela vendosi se Rakete kishte bërë vetëm detyrën e saj dhe nuk kishte ushtruar asnjë akt dhune. Vendimi përbën një goditje të fortë për zëvendës kryeministrin e linjës së ashpër ndaj emigrantëve Mateo Salvini, i cili duke reaguar tha se shpresonte në një vendim më agresiv nga drejtësia italiane. Rakete ende përballet me akuza të mundshme për favorizim të emigracionit ilegal, por gjyqtarja Vela urdhëroi lirimin e menjëhershëm të saj.

Rasti kontradiktor i Rakete tendosi më tej marrëdhëniet mes Italisë nga njëra anë dhe Gjermanisë e Francës nga ana tjetër, si dhe vuri në dukje dështimin e vazhdueshëm të Europës për të miratuar norma të përshtatshme për emigracionin. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!