Të paktën 14 marinarë rusë kanë humbur jetën të martën në një incident të ndodhur në bordin e një nëndetëseje. Me të marrë vesh lajmin, presidenti Vladimir Putin ka anuluar të gjitha aktivitetet dhe ka kërkuar hetimin e ngjarjes.
Një zjarr përfshiu të martën një nëndetëse të marinës ruse duke vrarë 14 anëtarë të ekuipazhit të saj. Lajmi është konfirmuar nga Ministria ruse e Mbrojtjes, sipas të cilës anëtarët e ekuipazhit mbetën të helmuar nga tymi në momentin kur nëndetësja po kryente matje biometrike në ujëra territoriale ruse. Në një komunikatë zyrtare thuhet se zjarri u vu nën kontroll më vonë dhe se mjeti lundrues aktualisht ndodhet në Severomorsk, baza kryesore e Flotës Veriore Ruse në rajonin e Murmanskut. Ndërkohë, për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit është hapur një hetim. Objekti ku ra zjarri është një lloj nëndetëseje e vogël, me ekuipazh të kufizuar, që mbështetet nga anijet që lundrojnë në sipërfaqe. Ajo është ndryshe nga nëndetëset më të mëdha që janë në gjendje të operojnë në mënyrë autonome në distanca të gjata.
Nëndetësja me emrin “Kursk”, që u shkatërrua nga një shpërthim në gusht të vitit 2000, ngjarje ku humbën jetën 118 marinarë, ishte gjithashtu pjesë e flotës veriore. Ditën e martë, presidenti rus Vladimir Putin anuloi një event të planifikuar në rajonin e Tverit, në veri-perëndim të Moskës, për të diskutuar incidentin me ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu, bëri të ditur një zëdhënës i Kremlinit./ABC News Albania 24/7