Gazetari Simon Shkreli në një lidhje live për edicionin qendror të lajmeve të Abc News me gazetaren Juli Xhokaxhi raportoi situatën aktuale në Shkodër për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Ai tha se më shumë se 2100 hektarë tokë vijojnë të mbeten të përmbytura dhe se disa rrugë janë të bllokuara.
“Kemi një sipërfaqe të pandryshuar në zonën e Shkodrës prej rreth 2120 hektarë tokë po ajo që ndryshohen nga raportimi i mëngjesit është se kemi tërheqje të ujit në njësinë administrative të Gurit të Zi, që ndodhet në afërsi të lumit Drin dhe Kir dhe që për shkak të prurjeve kanë qenë rreth 120 hektarë tokë të përmbytura.
Situata mbetet e pandryshuar për shkak të prurjeve që sjellin Kiri dhe Drini. Kemi rrugë të bllokuara që lidhin fshatin Obot me pjesën tjetër të bashkisë së Shkodrës. Janë rreth 150 shtëpi ku në oborret e të cilëve ka prezencë uji. Në Urrela të Shirqit, në këtë zonë ka rreth një metër e gjysmë ujë por nuk përbën problem për sa i përket qarkullimit”, tha gazetari.
I pyetur nëse ka qenë i nevojshëm evakuimi i banorëve, ai tha: “Për sa i përket evakuimit deri në këto momente nuk është shfaqur nevojë e tillë. Për Obotin ka qenë e nevojshme një mjet i lartë i ushtrisë. Është vënë në dispozicion një varke me 12 ushtarë për të kaluar banorët nga njëri krah në tjetrin.
Sa i përket energjisë, ka pasur furnizim të vazhdueshëm me disa ndërprerje të kohëpaskohshme për shkak të stuhisë së një nate më parë por gjatë ditës s’ka pasur ndërprerje.” /abcnews.al


